Foto: KALLXO.com

Akuzohen për 'spiunazh' në biznesin e djemve të Isa Mustafës

Në Gjykatën e Ferizajt ka vazhduar seanca gjyqësore ndaj Enliat Shalës, Ramadan Latifajt dhe Isa Shitit, të cilët nga Prokuroria akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe zbulim të sekretit tregtar.

Shala, Latifaj e Shiti po akuzohen për zbulimin e sekreteve të biznesit të djemve të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës.

Gjatë seancës së sotme kanë munguar te dëmtuarit Besnik Mustafa dhe Arben Mustafa.

Të dëmtuarit në seancën e kaluar kanë treguar se më tutje nuk do të marrin pjesë në shqyrtimet gjyqësore.

Në seancën e sotme para trupit gjykues, të udhëhequr nga kryetari Ibrahim Idrizi, të akuzuarit Enliat Shala dhe Ramadan Latifaj paraqitën mbrojtjen e tyre.

Prokurori i rastit Rasim Maloku kërkon nga trupi gjykues ballafaqimin e Enliat Shalës dhe Isa Shitit duke pasur parasysh rrethanën se si këta dy deklarojnë takimin e datës 16.03.2016 në terminalin doganor në Hani të Elezit   duke mos u përshtatur ora. Enliat Shala ka deklaruar se takimi ka ndodhur rreth orës 9:00 ndërsa Isa Shiti ka deklaruar se takimi ka ndodhur rreth orës 12:00.

Prokurori Rasim Maloku i propozoi trupit gjykues të bëjë ballafaqimin në mes Isa Shitit e Enliat Shalës lidhur me atë  se në sa ora janë takuar më terminalin në Hani të Elezit.

Ekskluzive: Tre persona akuzohen se zbuluan importe nga Serbia të djemve të Isa Mustafës

Trupi gjykues pas konsultimit vendosi të ballafaqojë dy të akuzuarit, duke i vendosur ata përball njëri-tjetrit dhe duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues derisa e shikojnë njëri-tjetrin në sy.

Isa Shiti deklaroi se rreth orës 11:56 e ka dorëzuar raportin ditor te menaxheri e pastaj menjëherë është takuar me Enliat Shalën dhe Selim Tahirsylën në kafenenë e terminalit. “Enliat, në besim ia kam dhënë çelësin e zyrës”, shtoi ai.

Dhe i kthyer nga Enliat Shala dhe duke e shikuar në sy tha: “Enliat, unë të kam besuar dhe në shenjë respekti ta dhashë çelësin e zyrës dhe kur erdha unë e pash në kompjuterin tim se ishte i hapur emaili juaj. Unë po ashtu vërejta te ju një shqetësim por nuk e di arsyen. Dhe pas kësaj ti je ngrit duke thënë se nuk munda ta printoj atë çka pata për ta printu, por do ta printoj diku tjetër”.

Edhe gjatë ballafaqimit, dy të akuzuarit thanë se qëndrojnë prapa asaj që e kanë thënë në deklaratat e tyre.

Ndërsa sa i përket mbrojtjes së Ramadan Latifajt, ai tha se gjatë vitit 2016 ka qenë i ngarkuar me punë në zyrën doganore në Ferizaj, se në ditën kritike në zyrë kishte ardhur Enliat Shala, i cili ka kërkuar nga ai ta shikonte një DUD (Deklaratë Unike Doganore).

“Unë kërkesën e tij e kam kuptuar si zyrtare që i duhet për punë në sektorin e kontrabandës, meqë kolegu Enliat nuk ka precizu kërkesën e tij për dokumentin e tillë, unë i thash të vijë tjetër ditë dhe për këtë ai më tutje nuk ka kërku informata”, shtoi Latifaj.

Tutje prokurori e pyeti se a e ka ditur se ndonjë dokument i nxjerrë nga DUD është publikuar në media nga zyrtarët e VV-së.

Ramadan Latifaj tha se nuk e ka ditur dhe se këtë fakt e ka kuptuar kur është ftuar nga Standardet profesionale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë  thuhet se të akuzuarit Ramadan Latifaj dhe Enliat Shala më 10 mars 2016 në degën rajonale të Doganës në Ferizaj, si persona zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që personit tjetër t’i shkaktojë dëm në atë mënyrë që me kërkesë të të pandehurit Enliat Shala i pandehuri Ramadan Latifaj ka hapur sistemin Asyeuda në kompjuterin e punës në zyrën e Isa Shitit dhe ka printuar Deklaratën Unike Doganore (DUD) të importuesit “MAKCAR” L.L.C, me pronar Besnik Mustafa, lidhur me importimin e pjesëve origjinale për vetura të markës BMW nga ndërmarrja “Delta Motors”, D.O.D, me seli në Beograd të Serbisë, e cila është publikuar në mjetet e informimit me qëllim të shkaktimit të dëmtimit për ndërmarrjen dhe pronarin e saj.

Ekskluzive: Tre persona akuzohen se zbuluan importe nga Serbia të djemve të Isa Mustafës

Lidhur me këto veprime Prokuroria pretendon se Ramadan Latifaj dhe Enliat Shala në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas Prokurorisë, Ramadan Latifaj dhe Enliat Shala në bashkëkryerje kryen edhe veprën penale të komunikimit të paautorizuar të sekretit tregtar.

Më tej Prokuroria pretendon se Enliat Shala së bashku me të akuzuarin tjetër Isa Shiti gjashtë ditë më pas, më 16 mars 2016, afër vendkalimit kufitar Hani i Elezit, përderisa Enliat Shala si person zyrtar, doganier në degën rajonale të Doganës në Ferizaj së bashku me Isa Shitin, shpediter, në “Interevropian”, me seli në Han të Elezit, me pronar Arben Mustafën me qëllim që personit tjetër t’i shkaktojnë dëm kanë vepruar në atë mënyrë që me kërkesën e të akuzuarit Enliat Shala i akuzuari tjetër Isa Shiti ka hapur sistemin Asyeuda në kompjuterin e punës në zyrën e tij dhe ka printuar Deklaratat Unike Doganore të importuesit “MAKCAR” L.L.C, të pronarit Besnik Mustafa, lidhur me importimin e pjesëve origjinale për vetura të markës BMW nga ndërmarrja “Delta Motors”, D.O.D me seli në Beograd të Serbisë, e cila është publikuar në mjetet e informimit me qëllim që t’i shkaktojnë dëm ndërmarrjes dhe pronarit të saj, që sipas Prokurorisë dy të akuzuarit në bashkëkryerje kryen verën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Fjala përfundimtare është caktuar të mbahet më 19 nëntor.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.