Akuzohej se varrosi kufomën në varrin e një të vdekure tjetër, gjykata e jep dënimin

Besnik Kryeziu, zyrtari i kompanisë regjionale të mbeturinave ‘’Eko Regjioni”, është dënuar me 1,500 euro gjobë nën akuzat për marrje ryshfeti dhe dëmtim i varreve apo kufomave.

Kryeziu akuzohej se më 28 dhjetor 2021, në Prizren, ka hapur varrin e një të vdekuri për ta varrosur në të dikë tjetër.

Për veprën penale të marrjes së ryshfetit gjykata i shqiptoi burgim me kusht prej 5 muajve kurse për veprën penale të dëmtimit të varreve apo kufomave iu dhanë 600 euro gjobë.

Por me propozimin e mbrojtësit të tij, dënimi me burgim iu zëvendësua me gjobë duke iu shqiptuar dënimi unik prej 1,500 euro.

I njëjti u obligua që në emër të paushallit të paguajë shumën prej 30 euro si dhe 50 euro për kompensimin e viktimave.

Sipas Prokurorisë, Besnik Kryeziu akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, nëpunës i kompanisë regjionale të mbeturinave ‘’Eko Regjioni” vepron në kundërshtim me detyrat e tij.

Në aktakuzë thuhet se për t’ia siguruar hapësirën e varrit një personi nga i dëmtuari N.B., kërkon shumën e parave prej 150 euro me kusht që t’ia sigurojë hapësirën për varrimin e bashkëshortes së tij të ndjerë.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari më pas ka gërmuar, mihur e përdhosur varrin e të ndjerës Sh.T., në mënyrë që ta varrosë kufomën e të ndjerës H.B.

“I akuzuari Besnik Kryeziu pa autorizim gërmon, mih, rrënon, heq, dëmton, shkatërron ose përdhos varrin e së ndjerës Sh.T., e cila ka ndërruar jetë në vitin 2001, në atë mënyrë që në hapësirën e varrit të së ndjerës në fjalë, varros kufomën e së ndjerës tjetër H.B”, thuhet në akuzë.

Me këto veprime i pandehuri Besnik Kryeziu ka përmbushur elementet e veprave penale – marrje e ryshfetit dhe dëmtimi i varreve apo kufomave.

Të akuzuarit pas shpalljes së aktgjykimit gjykata i ka ndërprerë masën e paraburgimit.