Gjykata Themelore në Mitrovicë - Foto: REL

Aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit për vrasje në tentativë, djali i tij dënohet me 2,000 euro për armëmbajtje pa leje

Gjykata e Mitrovicës e ka liruar nga akuza Gani Gërxhaliun, i akuzuar për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje

Për pikën e parë të aktakuzës Gjykata të pandehurin Gërxhaliu e ka liruar nga akuza kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje Gjykata ka shpallur aktgjykim refuzues pasi paraprakisht prokurori i rastit Naim Beka është tërhequr nga ndjekja penale.

Në këtë rast i akuzuari është edhe Getoar Gërxhaliu, djali i të pandehurit të parë, për veprën penale – armëmbajtje pa leje.

I akuzuari Getoar Gërxhaliu për këtë vepër është dënuar me 2 mijë euro gjobë ndërsa shpallja e aktgjykimi u bë nga gjykatësi Bekim Veliqi.

Kurse i akuzuari Getoar Gërxhaliu  është obliguar edhe me shpenzimet procedurale, 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në emër të fondit për viktimat e krimit.

Gjyqtari Veliqi ka njoftuar palët se lidhur me aktgjykimin kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor.

Të lartcekurit nga Prokuroria akuzoheshin për tentim vrasjen e të dëmtuarit Lavdim Sherifi.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Gani Gërxhaliu në tetor të vitit 2011, në Mitrovicë, në rrugën “Arif Lisica”, te ish-tregu i bagëtive, me dashje kishte tentuar që të privojë nga jeta të dëmtuarin Lavdim Sherifi.

Por  të njëjtën nuk e kishte përfunduar pasi në mes tyre kishte ndërhyrë djali i Ganiut, i pandehuri Getoar Gërxhaliu.

Në akuzën e Prokurorisë përshkruhet se si kishte ndodhur ngjarja.

Aty thuhet se derisa i dëmtuari Lavdim Sherifi kishte shkuar me disa punëtorë të tjerë në arën e tij për të nxjerrë patatet dhe kishte filluar të binte shi, ai së bashku me punëtorët ishte nisur me kamionin e tij që të ktheheshin në shtëpi, i pandehuri i kishte dalë përpara me automjetin e markës “BMW X5”.

Ndërsa i dëmtuari Lavdim Sherifi zbret nga kamioni dhe tani i pandehuri Gani Gërxhaliu i shoqëruar nga djali i tij, i kishte thënë të dëmtuarit “sot ke hy në arë dhe punove më nuk ke rrugë për në arë”, dhe i dëmtuari ia kthen “duhet kadastri me vendos nëse thotë se unë nuk kam rrugë unë nuk hyj”. Tutje thuhet se pandehuri kishte filluar të shante dhe me pas i thotë: “Kush je ti që ma bjen kadastrin”, dhe kishte nxjerr revolen e kishte gjuajtur në drejtim të të dëmtuarit Lavdim Sherifi, të cilin e kishte goditur në këmbë, por vepra ka mbetur në tentativë ngase mes tyre kishte ndërhyrë i pandehuri Getoar Gërxhaliu.

Me këtë, i pandehuri Gani Gërxhaliu akuzohej se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë”.

Dy të pandehurit Gani dhe Getoar Gërxhaliu akuzoheshin se kishin poseduar edhe armë, ku me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale – armëmbajtje pa leje.