Foto: KALLXO.com

Aktakuzë për zyrtaren e Ministrisë së Mjedisit, dyshohet se e dëmtoi 70 mijë euro Komunën e Prizrenit

Prokuroria e Prizrenit ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj H.K., zyrtare ligjore në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nën dyshimin se nuk i ka përmbushur detyrat e saj zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëm Komunës së Prizrenit.

Sipas Prokurorisë e dyshuara në cilësinë e zyrtares ligjore pranë kësaj Ministrie më 29 mars 2018 ajo ka marrë vendim me të cilin shfuqizon aktvendimin e datës 21.03.2018 të Drejtorisë për Inspeksion të Ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit.

“E pandehura H.K., gjatë vendosjes në shkallë të dytë me ankesë të palës nga Drejtoria e Inspeksionit dhe Urbanizmit të Komunës së Prizrenit, nuk kërkon shkresat dhe dokumentacionin e vendosjes në shkallë të parë lidhur me mosdhënie të lejes për ndërtim qytetarit L.M., me ç’rast  kishte për të ardhur në përfundim  se  në çështjen konkrete nuk ka pasur heshtje administrative rreth kërkesës për leje-ndërtim siç pretendon L.M., në padinë e kompensimit të dëmit lidhur me rrënimin e objektit pasi Komuna e Prizrenit -Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor me datë 30.08.2017 ka hedhur kërkesën për leje ndërtimore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prizrenit.

Aktakuza pretendon se e pandehura me marrjen e një vendimi në shkallë të dytë e aprovon ankesën e L.M., dhe e kthen çështjen në rishqyrtim duke u bazuar vetëm në shkresat e palës e cila ka parashtruar ankesë.

Kështu sipas aktakuzës, ajo i ka mundësuar personit L.M., në kontestin civil të kërkojë kompensimin e dëmit në shumë prej 70.000 euro për rrënim të objektit duke dëmtuar për këtë shumë Komunën e Prizrenit.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që e pandehura të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.