Aktakuzë ndaj të dyshuarit për trafikim me armë nga Maqedonia e Veriut për në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M. F., për vepra penale pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal, lidhur me veprën penale Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse.

Përmes një komunikate Prokuroria Speciale, bë të ditur se i pandehuri M. F., për shkak të gjendjes së tij shëndetësore/mendore, deri më tani ishte i paaftë për t`u përballur me gjykimin.

Prokuroria pretendon se i pandehuri M. F., gjatë periudhës kohore prej datës 1 korrik 2013 e deri me datën 23 nëntor 2013 dhe periudhës kohore nga fillimi i vitit 2018 deri me datën 24 korrik 2019, me qëllim që grupi të kryej vepra penale të dënueshme së paku 4 vjet, ai aktivisht ka marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit.

Sipas aktakuzës, i njëjti ka qenë në dijeni se pjesëmarrja e tij do të kontribuoj në realizimin e veprimtarisë kriminale për import, furnizim, transport, këmbim, ndërmjetësim, dhe shitje të paautorizuar të armëve si dhe duke vepruar së bashku me të pandehurit tjerë me vetëdije kanë transportuar dhe sjellë armë dhe municione të ndryshme, nga Maqedonia e Veriut për në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Në bazë të këtyre veprimeve, në aktakuzë thuhet i pandehuri M. F. ka kryer veprat penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar”, lidhur me veprën penale, “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Prokuroria i ka propozuar Gjykatës së Prishtinës, që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurin, për veprat penale që akuzohet, ta shpallë fajtor dhe ta gjykojë sipas ligjit.

Në korrik të vitit 2019, KALLXO.com ka raportuar kur janë arrestuar 18 persona të dyshuar për trafik të armëve.

Të dyshuarit kishin qenë A. F., P. F., M. F., M. Sh., I. R., R. M., N. M., P. M., A. F., B. A., S. N., A. H., K. P., E. B., K. D., B. J., S. K., F. U., të dyshuar për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Në mesin e këtyre personave ka qenë edhe personi me inicialet M. F.

Ndaj të njëjtëve, ishte caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Poashtu, gjatët vitit të kaluar KALLXO.com, ka raportuar kur është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale ndaj 20 personave të tjerë, për import të armëve, poashtu hulumtimi ishte shfaqur edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.