Arkiv - Pika kufitare e Vërmicës

Aktakuzë ndaj policit në Prizren

Prokuroria e Prizrenit ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës ndaj një zyrtari policor.

Sipas aktakuzës, i pandehuri A. A., me datë 05 qershor2019,  rreth orës 12:53 në pikën kufitare në Vërmicë, në cilësinë e zyrtarit policor nuk e ka përmbushur detyrën e tij me qëllim të përfitimit të  çfarëdo dobie për persona tjerë të cilët kanë kaluar kufirin për në Kosovë nga Republika Shqipërisë.

Sipas aktakuzës zyrtari policor A. A. derisa  ishte në detyrë në pikë kalimin kufitar të Vërmicës  ka lejuar veturën e markës “Opel Zafira”, i cili drejtohej nga E. C., së bashku me personat e huaj punëtorë teknik të Ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri që të hyjë nga Republika e Shqipërisë për në Kosovë në kundërshtim me procedurat kufitare pa dokumentacion adekuat të udhëtimit, pa pasaportë dhe pa vizë, duke mos kryer kontrollin kufitar, evidentimin dhe verifikimin e tyre sipas ligjeve të Kosovës.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri A. A., ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.