Aktakuzë ndaj pjesëtarit rezervë të forcave policore të Serbisë për dhunim seksual gjatë luftës

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në mungesë ndaj të akuzuarit me iniciale G.P. për vepër penale të dhunimit gjatë luftës në Kosovë.

Sipas Prokurorisë Speciale, i pandehuri si pjesëtar i forcave rezervë policore të Serbisë, në bashkëkryerje me persona të tjerë ka kryer veprën penale të dhunimit seksual.

“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri si pjesëtar i forcave rezervë policore të Serbisë, në bashkëkryerje me persona të tjerë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, me përdorimin e dhunës fizike dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, ka  kryer dhunim seksual ndaj mashkullit të nacionalitetit shqiptar” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria po e akuzon G.P. me veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile”.

“Me këtë veprim i akuzuari ka kryer veprën penale ‘’Krimet e luftës kundër popullsisë civile’’ nga neni 142 të Kodit penal të Jugosllavisë, aktualisht e inkriminuar si Krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës” – thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë.

Kjo është aktakuza e dytë në mungesë që ka të bëjë me dhunim gjatë luftës në Kosovë, e ngritur pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet e prokurorisë për të siguruar praninë fizike të pandehurit në procedurë, andaj, Prokuroria Speciale ka propozuar që ndaj të njëjtit të mbahet gjykimi në mungesë.