Aktakuzë ndaj një të dyshuare për organizim në pjesëmarrje në ‘ISIS’

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sot ka ngritur një aktakuzë ndaj të pandehurës D. D., për veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

Sipas Prokurorisë e pandehura D. D., me datë 29 tetor 2014, përmes pikës kufitare Hani i Elezit ka kaluar në Republikën e Maqedonisë, me paramendim, me dashje që t`i bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS”, në Siri.

Pas kalimit të Republikës së Maqedonisë, nga Aeroporti i Shkupit ka vazhduar rrugën në drejtim të Stambollit të Turqisë.

Tutje, sipas njoftimit të Prokurorisë, pas Turqisë ka përfunduar në qytetin Sedel Faruk në Siri, ku edhe është pritur nga burri i saj B. S., nga Shkupi, luftëtar i ISIS-it.

“E pandehura D. D., është trajnuar nga burri i saj për përdorimin e pushkës automatike dhe është angazhuar në pikëpamje logjistike në përgatitjen e ushqimit, pastrimin e rrobave ushtarake”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Njoftimi i Prokurorisë, thotë se e njëjta është financuar nga ISIS për shumën e të hollave nga 100 -150 dollar në muaj, si dhe me pako ushqimore. Pas vdekjes së bashkëshortit të saj, pas martesës me personin e quajtur D. S., pjesëtar i ISIS-it, ka qëndruar dhe vepruar edhe më tutje në zonat e konfliktit në Siri, e që edhe në muajin dhjetor të vitit 2018, përgjatë kufirit me Turqinë është arrestuar nga forcat demokratike siriane ku edhe me datë 19.04.2019, e njëjta është riatdhesuar në Kosovë.

Me këto veprime e pandehura D.D., dyshohet se ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.