Aktakuzë ndaj një personi për kultivim të kanabisit në Viti
Prokuroria e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.A., për kultivim të bimës narkotike të kanabisit në Viti.
Sipas aktakuzës, njofton Prokuroria – në komunën e Vitisë, më 29.08.2024, rreth orës 10:30 minuta, është konstatuar se i pandehuri E.A, pa autorizim, ka kultivuar bimën e kanabisit, ashtu që në afërsi të vendbanimit të tij, ka mbjellë nëntë bimë narkotike “Canabis Sativa”.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.A., për shkak të veprës penale ‘Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’, nga neni 272 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”
Sipas njftimit, bima kishte gjatësi prej 80 – 210 cm, e të cilat i pandehuri akuzohet se i ka kultivuar me qëllim të prodhimit të substancave narkotike.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor për veprën penale, e cila i vihet në barrë”- thuhet në njoftimin për ngritjen e aktakuzës.