Aktakuzë ndaj një personi për krime lufte në rajonin e Istogut

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi të Serbisë për veprën penale Krime lufte kundër popullsisë civile.

Prokuroria njofton se ka bazuar akuzën në dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri me iniciale Ç.J, gjatë kohës së luftës në Kosovë, respektivisht nga janari i 1998 deri më 21 qershor 1999, në territorin e komunës së Istogut, në bashkëkryerje me persona të tjerë ka torturuar persona civil, tani të dëmtuarit Z.M., N.F. dhe N.C.

Në komunikatë thuhet, se prokuroria ka siguruar mjaftueshëm prova juridikisht relevante që e dëshmojnë se ky i akuzuar ka kryer veprat që prokuroria po pretendon se i ka kryer në bashkëkryerje dhe ndihmë nga persona të tjerë, të forcave policore dhe ushtarake serbe.

Gjithashtu prokuroria njofton se të akuzuarit personalisht i është shqiptuar masa e sigurisë dhe gjendet në paraburgim me vendim të Gjykatës.