Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Gjykatës së Prishtinës për fshehjen e urdhëresave të Gjykatës

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve D. H. dhe I. I., për shkak se dyshohet se kanë  kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, nga data 04.04.2022 e deri më datë 26.01.2024 në zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtar të pandehurit D. H. dhe I. I.  në bashkëkryerje nuk i përmbushin detyrat zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit me dashje nuk i kanë dorëzuar, duke i fshehur Urdhëresat e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe atë nëntë lëndë, të cilat kanë qenë dashur të dërgohen për ekzekutim duke i mundësuar të dënuarve, t’i shmangen mbajtjes së dënimit me burg, apo kryerjes së pagesave në emër të dënimit të shqiptuar në të holla.

Me këto veprime sipas prokurorisë dy të pandehurit i shkaktojnë dëm sistemit gjyqësor.

D. H., këtë vepër penale pretendohet së e ka kryer në pozitën e bashkëpunëtorit profesional në zyrën e ekzekutimit të sanksioneve penale.

Ndërsa I. I. në pozitën e referentit në zyrën e ekzekutimeve të sanksioneve.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.