Aktakuzë ndaj dy personave për presione për ta votuar Listën Serbe

Prokuroria e Gjilanit ka ngritur aktakuzë, ndaj të pandehurve Zh. D. dhe V. B., për shkak se dyshohen se kanë kanosur tre persona për t`u kthyer në krahun e partisë së Listës Serbe për zgjedhjet e 6 tetorit.

Sipas aktakuzës, Zh. D. dhe V.B., që nga data 26 shtator 2019, deri më 02 tetor 2019, në Kllokot, në fshatin Vërbovc dhe Gërnqar, kanë kanosur të fillimisht të dëmtuarin S. K., duke i ushtruar presion gjatë kohës sa ishin në veturë zyrtare.

Prokuroria pretendon se ata fillimisht e kishin ftuar për të biseduar të dëmtuarin S. K., e më pas kërkojnë që të hyjë në veturë pa dëshirën e tij, me qëllim që ta dërgojnë në Kllokot, për të biseduar rreth zgjedhjeve, në mënyrë që të heqë dorë nga partia SLS dhe të kthehet në krahun e partisë së Listës Serbe.

Ata dyshohen edhe se përmes kanosjes serioze, kanë ushtruar ndikim edhe tek i dëmtuari O. K., që të votojë për partinë Lista Serbe, dhe të njëjtit sipas aktakuzës i shkaktojnë shqetësim dhe pasiguri në të drejtën e lirë të votimit.

Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se pas presionit të vazhdueshëm të partisë Lista Serbe ndaj anëtarëve të partisë SLS, nga udhëzimet e të pandehurit Zh. D., të dëmtuarës J. K., pas 36 viteve përvojë pune, me aktvendim i ndërprehet marrëdhënia e punës nga Shtëpia e Shëndetit në fshatin Pasjan.

Prokuroria pretendon se me këto veprime, ata dyshohen se kanë kryer veprën penale ’Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’, dhe me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të njëjtit t’i shpallë fajtor për veprën penale e cila iu vihet në barrë.