Aktakuzë ndaj dy ish-deputetëve për kanosje të dy prokurorëve

Prokuroria e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj dy ish-deputetëve të Kuvendit të Kosovës në lidhje me deklaratat e tyre ndaj prokurorëve.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi ushtruesi i detyrës i kryeprokurorit të Prishtinës, Kujtim Munishi.

“Mund të ju konfirmoj se  janë ngritur aktakuzat në këto dy raste”, tha Munishi.

Deputeti Milaim Zeka ishte arrestuar në shtator të vitit të kaluar në lidhje me deklaratat e tij për prokurorin Afrim Shefkiu ndërsa një ditë pas Zekës ishte arrestuar edhe deputeti i AAK-së Shkumbin Demaliaj në lidhje me deklaratat e tij për prokurorin Elez Blakaj.

“Prokuroria e Prishtinës konform KPP ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit për Shkumbin Demalijajn, sepse me datën 17 shtator të këtij viti i pandehuri në RTK gjatë një emisioni ka kanosur publikisht ish-prokurorin e Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj me fjalët ”Unë do ta ndjek privatisht me familjen time në qoftë se shteti i Kosovës nuk i bënë asgjë”, po ashtu i njëjti me datën 25 shtator të këtij viti në TV T7 ka deklaruar “jo unë nuk i bie pishman asnjëherë me fjalët që i kam thënë, nëse shteti nuk merret me Blakajn atëherë unë personalisht do të merrem me të”, me këtë ka kryer veprën penale të kanosjes”, kishte deklaruar prokurori Rexhep Maqedonci para gjykatësit të procedurës paraprake të mbajtur në shtator të vitit të kaluar.

Në anën tjetër, ish-deputeti Zeka ishte arrestuar nën dyshimin se kishte kanosur prokurorin Afrim Shefkiu duke thënë se “do ta ndjek penalisht e  me Kanun”.