Aktakuzë ndaj drejtorit të Shkollës së Muzikës në Prizren dhe dy zyrtarëve të DKA-së

Një vit më parë, më 20 maj 2021, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarëve të Drejtorisë së Arsimit në Prizren për konkursin e shkollës së muzikës “Lorenc Antoni”.

Drejtori i kësaj shkolle, Vesel Krasniqi dhe dy anëtarë të tjerë të DKA-së në Prizren, Jeronim Susuri dhe Rina Basha po dyshohen se ia kanë kufizuar apo mohuar të drejtën e punësimit kandidatit Shkumbin Miftari.

Pas ngritjes së aktakuzës për këtë rast kanë kaluar më shumë se një vit për çka ligji ka paraparë shqyrtimin fillestar duhet të mbahet brenda 30 ditëve.

Lidhur me këtë, në një përgjigje për KALLXO.com gjykata ka arsyetuar se lënda është ri-caktuar tek gjykatësi më datë 23 maj 2022, dhe se i njëjti po i trajton lëndët sipas strategjisë dhe prioritetit.

“Ende nuk janë caktuar shqyrtimet fillestare, kjo sepse këto janë lëndë të pranuara në punë në vitin 2021, kurse gjyqtari Lulzim Hoxha, me të marrë lëndët e ri-caktuara në punë fillimisht ka caktuar seanca gjyqësore lëndë të viteve 2018, 2019, dhe 2022, me qëllim të trajtimit të lëndëve konform Strategjisë për efikasitet dhe prioritizimin e lëndëve”- thuhet në përgjigjen e gjykatës.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë, të dyshuar janë drejtori i shkollës së muzikës “Lorenc Antoni”, Vesel Krasniqi, dhe dy anëtarë të tjerë të DKA-së në Prizren, Jeronim Susuri dhe Rina Basha.

Sipas prokurorisë më 11 shtator 2020, të pandehurit si anëtarë të komisionit ngarkohen se ia kufizojnë apo mohojnë të drejtën e punësimit kandidatit Shkumbin Miftari.

Tutje thuhet se të pandehurit në konkursin e datës 4 mars 2020, gjatë procedurave të rekrutimit për pozitën mësimdhënës për lëndën harmonikë në shkollën “Lorenc Antoni” nuk e përzgjedhin të dëmtuarin përkundër se i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara.

Prokuroria Pretendon se anëtarët e komisionit e favorizojnë kandidatin tjetër Sh. M., i cili nuk i ka plotësuar kushtet sipas udhëzimit, me çka të dëmtuarit ia mohojnë apo kufizojnë të drejtën në punësim.

Me këto veprime në bashkëkryerje të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale cenim i të drejtës në punësim.

Për këtë çështje, e kontaktuar nga KALLXO.com drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj- Gutaj ka thënë se nuk kanë dijeni.

“Aktakuza është ngritë për proceset që kanë ndodhur në vitin 2020, dhe unë kam dëgjuar prej mediave. Si drejtori nuk kemi ndonjë dokument apo ndonjë komunikim zyrtar”- ka thënë Gutaj- Veselaj.

Drejtoresha Luljeta Veselaj- Gutaj më tej ka shtuar se vetëm pas verdiktit final të gjykatës mund ta komentoj këtë çështje.

Ndërkaq, deri në publikimin e këtij artikulli drejtori i shkollës “Lorenc Antoni” Vesel Krasniqi dhe Jernim Susuri nuk kanë qenë të qasshëm të deklarohen.

KALLXO.com ka provuar t’i kontaktoj pëmes thirrjes dhe mesazhit telefonik por të njëjtët nuk janë përgjigjur.