Aktakuzë ndaj 6 personave për shmangie nga tatimi dhe pastrim të parave

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë ndaj 6 personave për veprat penale pastrim i parave dhe shmangie nga tatimi përreth 460 mijë euro.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit R.M., dhe M.M., nga viti 2010 e deri në 2017, në vazhdimësi, me dashje, në bashkëveprim me njëri – tjetrin, duke e ditur se pasuria e fituar buron nga aktivitet kriminal, me qëllim të konvertimit, transferimit dhe fshehjes të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë,  kanë kryer deponime dhe tërheqje në të gatshme (kesh), në llogaritë individuale.

Me këto veprime të pandehurit e lartcekur në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Pastrimi i parave”.

Të pandehurit e tjerë,  F.M., Xh.K., V.M dhe R.K.,  akuzohen se nga viti 2010 deri në vitin 2017, në vazhdimësi, me dashje, duke e ditur se pasuria e fituar buron nga aktivitet kriminal, në bashkëveprim me njëri – tjetrin, kanë konvertuar dhe transferuar pasurinë, ashtu që kanë kryer transaksione të shumta huazimi për qëllim të maskimit dhe shtresimit të mjeteve financiare të siguruara nga shmangia tatimore dhe aktiviteti kriminal, kanë transferuar shuma parash mes xhirollogarive të tyre me përshkrime të ndryshme si huazim dhe kthim huazimi.

Me këto veprime, të  pandehurit F.M., Xh.K., V.M dhe R.K., në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Pastrimi i parave”.

Po ashtu, gjashtë të pandehurit, sipas njoftimit të Prokurorisë,  gjatë periudhës kohore 2010 – 2017, në vazhdimësi, me qëllim të shmangies së pagimit të tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara më ligj, nuk kanë deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i kanë përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tyre, ashtu që kanë dhënë informata jo të sakta nga veprimtaritë e tyre afariste.

“Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, si dhe e kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej  459.738.80 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Aktakuza është dorëzuar pranë Departamentit Speciale të Gjykatës Themelore të Prishtinës.