Foto-ilustrim

Aktakuzë ndaj 3 të dyshuarve për shpëlarje të parave

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër tre personave me inicialet B.G., M.P dhe A.I., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale – shpëlarje e parave.

Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri B.G., gjatë viteve 2012-2014, në vazhdimësi, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që kjo pasuri e kundërligjshme të duket si e ligjshme, parat në shuma të mëdha të cilat i ka përfituar  nga shitblerja e duhanit në mënyrë të kundërligjshme i ka deponuar dhe transferuar në firma ndërkombëtare. Po ashtu, ky i pandehur nga llogaria e tij rrjedhëse individuale ka realizuar transaksione në vlera të ndryshme.

I pandehuri B.G. me këto veprime ka kryer veprën penale – shpëlarje e parave, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Gjithashtu, të pandehurit B.G dhe M.P., në bashkëveprim  gjatë vitit 2012, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë se  përfituar, në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që kjo pasuri e kundërligjshme të duket e ligjshme, duke përfituar mjete materiale  në shuma të mëdha të cilat i ka përfituar i pandehuri B.G.,  në mënyrë të kundërligjshme, kanë vepruar së bashku, në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri, M.P., duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit B.G., ka hapur llogari individuale dhe ka deponuar shuma të ndryshme të mjeteve materiale të cilat ia kishte dhënë i pandehuri B.G.

Me këto veprime dy të pandehurit në vazhdimësi  kanë kryer veprën penale – shpëlarje e parave.

Ndërkaq, të pandehurit B.G dhe A.I., në bashkëveprim gjatë viteve 2012-2014, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë të përfituar në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim që kjo pasuri e kundërligjshme të duket e ligjshme, duke përfituar mjete materiale të cilat i ka përfituar i pandehuri B.G.,  në mënyrë të kundërligjshme nga shitblerja e duhanit kanë vepruar në atë mënyrë që, fillimisht i pandehuri A.I., duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit B.G., ka hapur llogari individuale dhe ka deponuar shuma të ndryshme të mjeteve materiale të cilat ia kishte dhënë i pandehuri B.G., dhe nga llogaria e vet, llogari individuale  fillimisht  ka deponuar shuma të ndryshme të mjeteve materiale.

Me këto veprime të pandehurit B.G dhe A.I., kanë kryer veprën penale -shpëlarje e parave, thuhet në komunikatë.