Arkiv - Agron Matjani, ish-prokuror i Prokurorisë Themelore në Gjakovë. Foto: Kallxo.com

Aktakuzë kundër ish-prokurorit Agron Matjani

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën e Prishtinës në Departamentin Special, kundër të pandehurit Agron Matjani, për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

“Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër prokurorit A. M., tani më i suspenduar për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, pasi që i njëjti në cilësinë e personit zyrtar – Prokuror i Shtetit në Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, me dashje e ka keqpërdorur pozitën dhe detyrat e prokurorit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale,

Sipas njoftimit, Agron Matjani akuzohet pasi në disa raste penale, në cilësinë e personit zyrtar- prokuror, në mënyrë drastike e ka zbutur kualifikimin penal të veprës, në kundërshtim me ligjin, dhe në këtë mënyrë për kryesit e veprave penale ka siguruar dënime shumëfish më të lehta se sa e parasheh ligji për veprat penale të cilat i kanë kryer.