Aktakuza: Të akuzuarit u rrahën me lopatë e tërfurk

Në Gjykatën e Gjilanit sot është mbajtur seancë gjyqësore në rastin e Sinan Hasanit, Ilir Hasanit dhe Sami Salihut, të cilët gjatë rrahjes ndërmjet tyre kishin përdorur edhe lopatë e tërfurk.

Në seancën e sotme ka dëshmuar eksperti mjekoligjor dr. Sejdulla Mahmuti, i cili tregoi për ekspertizën e tij për lëndimet e të akuzuarit Sinan Hasani, të cilën e ka bërë me urdhëresë të Prokurorisë.

Sipas ekspertit, lëndimet që janë shkaktuar ndaj të akuzuarit Sinan Hasani janë të natyrës së rëndë, duke qenë se për shkak të goditjes janë krijuar kufizime të lëvizjes në dorën në të cilën është sulmuar i akuzuari.

Ndërsa, eksperti shpjegoi se në raportet në bazë të të cilave e ka zhvilluar ekspertizën kanë munguar disa raporte mjekësore dhe se mund ta plotësojë ekspertizën kur të ketë në dispozicion edhe ato raporte.

Megjithatë, eksperti deklaroi se edhe nëse plotësohen raportet e tjera, është e qartë se lëndimet e shkaktuara ndaj të akuzuarit janë të natyrës së rëndë.

Vlen të theksohet se gjatë procedurës, i akuzuari Sami Salihu ka deklaruar se sipas tij mbrojtësi që është duke e përfaqësuar, i caktuar nga Gjykata sipas detyrës zyrtare në këtë çështje penale, avokati Nasuf Nasufi, nuk i ka ofruar mundësinë e komunikimit të akuzuarit për mbrojtjen e tij.

Megjithatë, avokati i të akuzuarit deklaroi se është në dispozicion të të akuzuarit.

Duke qenë se mungoi eksperti mjekoligjor dr. Musa Gashi, atëherë trupi gjykues e mbylli seancën për të vazhduar në një datë tjetër.

Trupi gjykues në këtë rast përbëhet nga gjyqtarët Aziz Shaqiri, Islam Thaçi dhe Venhar Salihu.

Prokuroria pretendon se Sinan Hasani, Ilir Hasani dhe Sami Salihu i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore njëri-tjetrit.

Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 21.09.2018, në fshatin Sadovinë e Qerkezëve të Vitisë, për shkak të një mosmarrëveshje për shfrytëzimin e një prone të paluajtshme.

Sipas aktakuzës, fillimisht të akuzuarit Sinan Hasani dhe Ilir Hasani e kanë sulmuar me lopatë të akuzuarin tjetër Sami Salihu, duke i shkaktuar lëndime të rënda. Ndërsa gjatë konfliktit, i akuzuari Sami Salihu e ka goditur në dorë të akuzuarin Sinan Hasani me tërfurk, gjithashtu duke i shkaktuar lëndime të rënda.