Foto: KALLXO.com

Aktakuza: Të akuzuarit tentuan t’i vrisnin të dëmtuarit me thikë e kaçavidë

Në Gjykatën e Gjilanit është mbajtur shqyrtimi fillestar në rastin e të akuzuarve për tentim vrasje, e cila sipas Prokurorisë ka ndodhur më 25 qershor të këtij viti.

Sipas aktakuzës, Agon Murseli dhe Edon Murseli pas një mosmarrëveshjeje, në bashkëkryerje dhe me planifikim, me thikë e kaçavidë, kanë tentuar të privojnë nga jeta fillimisht të dëmtuarin A.K. dhe pastaj edhe të dëmtuarin tjetër L.K.

Rasti ka ndodhur në Viti.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit pasi i kanë sulmuar të dëmtuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Në seancën e sotme prokurori Arben Kadriu e lexoi aktakuzën dhe i njoftoi të akuzuarit se për çfarë vepra penale akuzohen.

Në deklarimin rreth fajësisë i akuzuari Agon Murseli deklaroi se e pranon fajësinë për akuzën e sulmit ndaj të dëmtuarit të parë A.K. dhe për akuzën e mbajtjes në pronësi të armës, ndërsa sa i përket akuzës se e ka sulmuar të dëmtuarin L.K. i akuzuari tha se nuk e pranon fajësinë.

Në deklarimin rreth fajësisë i akuzuari Edon Murseli nuk e pranoi fajësinë për asnjë akuzë që i ngarkohet nga Prokuroria.

Mbrojtësi i të akuzuarit Agon Murseli, avokati Sahit Musa, deklaroi se e mbështet pranimin e fajësisë nga klienti i tij.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Edon Murseli, avokati Shemsedin Pira, deklaroi se në shqyrtim gjyqësor do të vërtetohet versioni i të akuzuarit, i cili nuk e pranon fajësinë për veprat penale për të cilat akuzohet.

Duke qenë se Prokuroria i akuzon të akuzuarit se veprat penale të tentim vrasjes ndaj të dëmtuarve i kanë kryer në bashkëveprim, Gjykata e refuzoi pranimin e fajësisë të të akuzuarit Agon Murseli për veprën penale tentim vrasje ndaj të dëmtuarit A.K., ndërsa e aprovoi pranimin e fajësisë të të njejtit të akuzuar për veprën penale të mbajtjes në pronësi të armës.

Vlen të theksohet se mbrojtësit e të akuzuarve deklaruan se familjet e të akuzuarve dhe të dëmtuarve në bazë të traditave vendore janë pajtuar me njëra tjetrën.

Mbrojtësit e të akuzuarve deklaruan që ky fakt duhet të merret parasysh nga Gjykata që të mos u vazhdohet masa e paraburgimit të akuzuarve, duke qenë se gjenden në paraburgim.

Gjyqtari Aziz Shaqiri i njoftoi palët lidhur me afatin për kundërshtimin e provave. Kështu Gjykata vendosi të përfundojë shqyrtimin fillestar për këtë çështje penale dhe shqyrtimi gjyqësor do të vazhdojë në datë tjetër.