Aktakuza: Si i vodhi polici i Kosovës 2 mijë euro?

Një debat i nxehtë është zhvilluar sot në gjykatë në mes të prokurorit Ibrahim Berisha dhe avokatit Asdren Hoxha.

Berisha po e akuzon policin Shkumbin Jashari se ka përvetësuar 2 mijë euro gjatë një bastisje të policisë dhe se ka mbajtur armë pa leje.

Lidhur me këtë rast, në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur shqyrtimi i dytë pasi prokurori nuk ishte përgjigjur me shkrim lidhur me kundërshtimin e mbrojtjes për provat e propozuara në aktakuzë. Sot prokurori u deklarua lidhur me këtë ku edhe dorëzoi një CD të administrohet si provë.

Prokurori i shtetit  komentoi  kundërshtimin e avokatit Asdren Hoxha ndaj  provave të propozuara nga prokuroria. Sipas prokurorit, janë mbledhur prova të mjaftueshme me të cilat vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprën.

Pas kësaj, avokati kërkoi nga gjykata që t’a obligojë prokurorinë t’i dorëzojë CD-në të cilën e dorëzoi sot në gjykatë.

Ndaj kësaj reagoi prokurori i cili tha se nuk do të ja sjellë këtë CD për ‘700 vjet’.

“Për 700 vjet s’ta pruj, vjen e merr vet në Prokurori”, tha ai.

Avokati vazhdoi duke i propozuar gjykatës që  provat si: procesverbali për kontrollimin nga IPK,  procesverbali për kontrollin e banesës nga IPK dhe vërtetimi për marrjen e sendeve, të mos pranohen.

Tutje mbrojtësi komentoi deklaratën e të dëmtuarit Alban Qerkini  i cili thotë se i është marrë kuleta.

Ai tha se kjo është në kundërshtim me deklaratën e policit, Millan Milletqiq.

“Prokuror, dua të di a më shumë i besohet një polici i cili ka marrë bllokun apo një të arrestuari?”, pyeti avokati.

Prokurori refuzoi t’i përgjigjet duke i thënë “I vogël je ti, vetëm nëse më thotë gjyqtari unë përgjigjem përndryshe ne nuk jemi në shqyrtimi gjyqësor”.

Gjyqari, Isuf Makolli, tha se lidhur me kundërshtimet do të vendos me aktvendim  dhe varësisht nëse aktakuza merr formën e prerë do të caktohet seancë e shqyrtimit gjyqësor.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit policor për përvetësim të kundërligjshëm të pasurisë me rastin e bastisjes dhe ekzekutimit të vendimit gjyqësor dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, me datën  29 mars 2019, në ora 00:55 në lokalin “Las Vegas 2”  në cilësinë e personit zyrtar të policisë së Kosovës sa ishte duke ushtruar kontrollin-bastisjen e lokalit, ai shfrytëzon rastin duke e zbërthyer zingjirin e uniformës policore  dhe merr kuletën me 2000 euro e cila ishte në banak në përgjegjësi të tani të dëmtuarit Alban Qerkini.

Gjithnjë sipas aktakuzës me datën 04 prill 2019, gjatë kontrollit të kryer nga IPK-ja në punëtorinë e tani të akuzuarit në rrugën “Lulzim Jashari” në Fushë Kosovë, i është gjetur dhe sekuestruar një pushkë ajrore e tipit “Diana” model 25 me 17 fishekë të llojeve të ndryshme të kalibreve 9x9m m, një palë pranga dhe një karikator të cilin e mbante pa autorizim.