Foto: KALLXO.com

Aktakuza: I pandehuri e goditi të dashurën me shufër metalike

Në Gjykatën e Gjilanit ka dështuar të mbahet seanca fillestare në rastin e L.Z., i akuzuar se rrahu të dashurën e tij A.I.

Arsyeja e dështimit të seancës ishte mungesa e të pandehurit dhe e të dëmtuarës.

Prokuroria e Gjilanit pretendon se L.Z. më 24 janar 2019, në një fshat të Gjilanit, në automjetin e tij, për shkak të një mosmarrëveshjeje ka përdorur forcë në vazhdimësi ndaj të dashurës së tij, duke e goditur me shufër metalike, duke i shkaktuar lëndime të lehta.

Gjithashtu Prokuroria e akuzon të pandehurin se më 25 janar 2019, duke shkuar në drejtim të Prishtinës, i akuzuari përsëri përdor dhunë në vazhdimësi ndaj të dashurës së tij, duke e goditur me grushte dhe i shkakton lëndime të lehta trupore.

E dëmtuara me të arritur në Prishtinë largohet nga i akuzuari dhe i lajmëron zyrtarët policorë.

Për të treguar për mungesën e tij, i pandehuri kishte dërguar në Gjykatë një familjar të tij, i cili tha se i akuzuari është në Shkup për kontrolle mjekësore.

Mbrojtësi i të akuzuarit, i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Kadri Sylaj, deklaroi se qëllimi i të mbrojturit të tij nuk ka qenë shmangia e seancës gjyqësore dhe se këtë rrethanë do ta vërtetojë në seancën e radhës me dokumentacion mjekësor.

Meqë sipas prokurorit Halim Borovci në sallë mungonte edhe e dëmtuara, gjyqtari Rilind Sermaxhaj e shtyu seancën për një ditë tjetër.