Gjykimi për keqpërdorim teë detyrës zyrtare - 09.10.2019

Aktakuza e Prokurorisë për importimin e 30 demave për therje nga Serbia pa lejen e AVUK-ut

Seanca ndaj Branislav Veselinoviq dhe Izet Jashari të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare ka dështuar të mbahet në Gjykatën e Mitrovicës. Arsye e dështimit të seancës së sotme ishte mungesa e të akuzuarit Izet Jashari në Gjykatë.

Sipas prokurorisë Veselinoviq në qershor të vitit 2016, në cilësinë e personit zyrtar në AUV, përkatësisht inspektor i veterinës në terminalin doganor në  Mitrovicë të Jugut, kishte lëshuar të hyjnë nga Serbia në Kosovë, kamionë të ngarkuar me 30 krerë dema, në vlerë prej 18,876.00 euro. Ndërsa i akuzuari tjetër Jashari në cilësinë e agjentit dhe pronarit të NPT “Elbasani”, kishte importuar nga Serbia në Kosovë 30 krerë dema, të cilët përmes terminalit doganor ishin futur pa leje importi.

Gjykatësi Tomislav Petroviq, tha se i akuzuari Jashari ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, por që mungesën e tij nuk e ka arsyetuar, ndërsa ka shtuar se për seancën e ardhshme ndaj të akuzuarit Jashari do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

Në gjykatë ka prezantuar prokurori i rastit Ismet Ujkani, i akuzuari Veselinoviq, me mbrojtësin e tij, avokatin Faruk Korenica. Kurse në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme është shtyrë, derisa e radhës u caktua për 13 nëntor.

Ndryshe në akuzën e Prokurorisë së Mitrovicës përshkruhen veprimet e kryera të secilit të pandehur. Si rezultat i tyre Branislav Veselinoviq dhe Izet Jashari ngarkohen me veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Veselinoviq në qershor të vitit 2016, në cilësinë e personit zyrtar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës të Kosovës, inspektor i veterinës në terminalin doganor në Mitrovicë të Jugut, kishte lëshuar të hyjnë nga Serbia në Republikën e Kosovës, kamionët të ngarkuar me 30 krerë dema në vlerë prej 18,876.00 euro.

Sipas aktakuzë, krerët me dema kishin qenë të NPT “Elbasani” me pronar të pandehurin Izet Jashari, dhe për këtë ngarkesë i pandehuri Veselinoviq kishte lëshuar certifikatën për kontrollin veteriner të kafshëve të gjalla dhe prodhimeve të tyre edhe pse për të njëjtën ngarkesë nuk kishte pasur leje importi të lëshuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e Kosovës.

Ndërsa i pandehuri Jashari, në cilësinë e agjentit dhe pronarit të NPT “Elbasani”, kishte importuar nga Serbia në Republikën e Kosovës 30 krerë dema të cilët përmes terminalit doganor ishin futur pa leje importi.

30 krerë dema në vlerë prej 18,876.00, kishin qenë të destinuar për therje dhe se i pandehuri Jashari, kishte qenë i obliguar që t`i dërgonte në thertoren e licencuar, porse i njëjti 18 krerë dema i kishte shitur në treg me çmim prej 18 mijë euro.