Aktakuza: Automekaniku i Policisë përvetësoi pjesët e veturës zyrtare

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seancë ndaj të akuzuarit Burim Gashi, i cili akuzohet për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Automekaniku i Policisë së Kosovës po akuzohet për përvetësimin e disa pjesëve të makinës së Policisë, vlera e të cilave ishte 10.494 euro.

Në këtë çështje penale, u dëgjuan edhe ekspertët e grafologjisë, Nadire Ibrahimi dhe Feriz Selimaj, të cilët kishin përpiluar ekspertizë të përbashkët, për të vazhduar pastaj seanca me prezantimin e provave materiale dhe mbrojtjen nga i akuzuari Gashi.

Ekspertja Nadire Ibrahimi deklaroi se bazuar në rezultatin e ekspertimit, nënshkrimi në dëshminë D1 është analizuar, ekspertuar dhe krahasuar me nënshkrimet në dëshminë D4 dhe D5, dhe rezulton se ky nënshkrim është i shkruar nga i njëjti person.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Hamdi Podvorica, sqaroi se dëshmia D4 është nënshkrim i tani të akuzuarit, i cili është marrë në Gjykate në prill të vitit 2016 dhe dëshmia nr. 5 është procesverbali i shqyrtimit gjyqësor i seancës së datës 28.5.2019 ku ka dhënë nënshkrimin i akuzuari, ndërsa dëshmia nr.1 është nënshkrimi kur është tërhequr motori.

Eksperti Feriz Selimaj, deklaroi se Agjencia Kosovar i Forenzikës është institucion i pavarur dhe pavarësisht se jemi brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, asnjë individ jashtë AKF-së nuk ka mundësi të ketë kurrfarë ndikimi në punën e tyre.

Ndërsa për qasje tha se nuk ka askush përveç ekspertëve brenda AKF-së dhe në këtë rast gjykatës.

Mbrojtësi i të akuzuarit Burim Gashi, i propozoi Gjykatës që të caktojë një ekspertizë tjetër.

“Për faktin se raportimin e ekspertimit e ka përpiluar Agjencia e Kosovës për Forenzikë, e cila vepron ne kuadër te Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe duke pasur parasysh se edhe i akuzuari ka punuar këtu konsideroj që kemi të bëjmë me konflikt interesi dhe propozoj që të bëhet edhe një ekspertizë e pavarur”, shtoi avokat Selman Bogiqi.

Propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit e kishte refuzuar Gjykata, duke konsideruar se AKF pavarësisht se funksionon brenda MPB, është institucion i pavarur dhe lidhur me ekspertizat sipas urdhëresave te organeve te drejtësisë nuk i jep llogari stafit te MPB-së.

Gjykata urdhëroi plotësimin e ekspertizës grafologjike, ashtu që të paraqitet konstatimi dhe mendimi i ekspertit të grafologjisë se numri 1369 a është i shkruar në fletën e punës së 20 shtatorit 2010 nga tani i akuzuari personalisht ose jo, në të cilën ishte bërë tërheqja e motorit.

Gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtësi i tij, Burim Gashi deklaroi se ai nuk e kishte punuar veturën “Hunday Santa Fe”, e cila është objekt i akuzës, duke mos iu kujtuar ky automjet, pasi siç shtoi ai, “në servis punojnë 40 punëtorë të cilët nuk i kanë punët e ndara, dhe për të marrë motorin e ri fillimisht duhet të bëhet tërheqja e motorit të vjetër i cili peshon 450 kg dhe tërheqja duhet të merret me pioner”.

Ai tha se nuk e kishte të lejuar të hynin në parkim të servisit me vetura personale, ndërsa personi me emrin Kadri Gashi ka poseduar veturë zyrtare dhe ka pasur qasje në depo.

Sipas aktakuzës, Burim Gashi në cilësinë e automekanikut në Policinë e Kosovës, më 22  shtator 2010, me qëllim që vetës t’i sjellë dobi pasurore, kishte përvetësuar disa pjesë të reja të dedikuara për makinën zyrtare të policisë të markës “Hunday – Santa Fe” që ka qenë në defekt.

Prokuroria pretendon se pjesët që ishin planifikuar të vendosen në këtë makinë, nuk ishin montuar fare, por të njëjtat ishin tërhequr nga punëtoria mekanike e policisë dhe i ka përvetësuar për vete.

Aktakuza thotë se këto pjesë kanë qenë një korpë, një llamellë, një drug-llager, një motor dhe disa pjesë tjera, ku vlera e këtyre mjeteve pretendohet të jetë 10.494 euro.