Ilustrim

Aksion policor në Kaçanik kundër prerjes së pyjeve

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion kundër prerjes së pyjeve, transportit dhe shitjes ilegale të drunjëve.

Sipas Policisë, në një objekt në fshatin Doganaj të Kaçanikut ka hasur një sasi të konsiderueshme të drunjëve që ishin blerë ilegalisht.

Pk thekson se me vendim të Prokurorit nga Prokuroria Themelore e Ferizajt ndaj dy personave me inicialet M. M. (M/K) 33 vjeçar dhe N. M. (M/K) 29 vjeçar është iniciuar rasti penal ‘’Blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituara nga kryerja e veprës penale’’, ndërsa sasia e drunjëve është konfiskuar nga zyrtarët e pylltarisë.

Polica ka identifikuar dy persona tjerë me inicialet A. B. (M/K) 36 vjeçar dhe V. K. (M/K) 28 vjeçar të cilët dyshohet se kanë kryer vjedhjen e këtyre drunjëve dhe ndaj tyre është iniciuar rasti penal ‘’Vjedhje e pyjeve’’ .

Pas intervistimit nga ana e policisë, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, personat e dyshuar lirohen për procedura tjera hetimore.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, do të vazhdojë me aksione të tilla edhe në ditët në vijim, në parandalim të prerjeve të pyjeve, transportit dhe shitjes ilegale të drunjëve, si dhe apelon te qytetarët që,  saherë hasin persona që prejnë, transportojnë dhe shesin ilegalisht drunjë, të njoftojnë menjëherë policinë , stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406”, thuhet në komunikatë.

Policia ka theksuar se të dhënat do të ruhen në konfidencialitet të plotë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.