Gjykimi ndaj të akuzuarit për aksidentin me 5 të vdekur në Koshare - Ferizaj - FOTO - KALLXO - 05.10.2021

Aksidenti me 5 të vdekur në Koshare, i akuzuari Erton Msuliu deklarohet për fajësinë

 

I akuzuar për shkaktimin e aksidentit ku kishin vdekur 5 anëtarë të një familje, Erton Musliu ka dalur para gjykatësit në Ferizaj për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë.

Në seancën e sotme e cila ishte fillestare, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shukri Jashari, i akuzuari tha se nuk e pranon fajësinë  lidhur me atë që Prokuroria e ngarkon.

“Nuk e pranoj fajësinë”, kaq tha i akuzuari Musliu.

Kurse prokurori Shukri Jashari, propozoi që të zbatohet masa e paraburgimit ndaj të akuzuarit.

“Pas përfundimit të hetimeve dhe ngritjes së aktakuzës, kualifikimi juridik i aktit akuzues ku dënueshmëria është deri në 12 vite burgim, ekziston mundësia që i akuzuari të ik dhe t`i shmanget drejtësisë duke e penguar rrjedhën e procedurës. Gjithashtu i akuzuari mund edhe të përsëris veprën penale. Andaj mbi këto rrethana i propozoj Gjykatës që ndaj të akuzuarit të caktoj masën e paraburgimit”, tha prokurori Jashari.

Gjykimi ndaj të akuzuarit për aksidentin me 5 të vdekur në Koshare – Ferizaj – FOTO – KALLXO – 05.10.2021

Pasi i akuzuari nuk e pranoi fajësinë, seanca e sotme u shtye në kohë të pa caktuar për t`i dhënë mundësi të akuzuarit të bëj kundërshtimin e aktakuzës.

Në aktin akuzues të cilin e ka siguruar KALLXO.com, shihet se Prokuroria e Ferizajt kualifikimin juridik ndaj tani të akuzuarit, e ka dërguar në Departamentin për Krime të Rënda, pasi në aksidentin e datës 6 qershor 2021 kishin vdekur 4 persona, kurse personi i 5-të kishte vdekur disa pas ditësh në spital.

Duke pasur parasysh këto rrethana, Prokuroria e Ferizajt aktin akuzues e ka bazuar në nenin 370, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës. Andaj dënimi për këtë vepër penale është prej 3 deri në 12 vjet burgim.

Kujtojmë se nga paraburgimi, Gjykata e ka dërguar në arrest shtëpiak të akuzuarin për shkaktimin e aksidentit në fshatin Koshare të Ferizajt, të ndodhur më 6 qershor 2021, ku kishin vdekur 5 persona. Të vdekurit e këtij aksidenti ishin anëtarë të një familjeje.

E lidhur me këtë në Shtime, javën e kaluar ishte mbajtur edhe një protestë paqësore ku kërkohej drejtësi për viktimat e aksidentit.

Erton Musliu, sipas Prokurorisë me 6 qershor në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, saktësisht në fshatin Koshare Komuna e Ferizajt, i akuzuari duke drejtuar automjetin e “Audi A8”, me dashje eventuale shkel ligjin për rregullat e trafikut rrugorë, dhe duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës në vendbanim, si dhe duke mos i respektuar rregullat e komunikacionit, tejkalon në vij të plotë.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari kalon në shiritin e majtë rrugor dhe me pjesën e përparme të automjetit e godet automjetin e tipit “Golf II”, në pjesën e përparme të anës së majtë, veturë kjo që ishte duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Shtime-Ferizaj, dhe në këtë aksident në vendin e ngjarjes ndërrojnë jetë katër persona ndërsa personi i pesë vdes disa ditë më vonë në QKUK në Prishtinë.

Sipas aktit akuzues, në këtë aksident lëndime kanë pësuar edhe dy persona tjerë.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:

 

Dosja e Prokurorisë: I akuzuari për aksidentin ku vdiqën 5 persona, mund të dënohet deri në 12 vjet burgim