Aksident në autostradën “Ibrahim Rugova”, rrokulliset vetura

Një person ka mbetur i lënduar pasi është përfshirë në një aksident sot pasdite në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Policia rastin po e trajton si vetaksident.

“Në orët e pasdites është pranuar një informatë për një aksident trafiku ne autostradë afër Suharekës. Njësitet për menaxhimin dhe kontrollin e trafikut ne autostradë kanë shkuar në lokacion dhe është raportuar se në këtë aksident është përfshirë një veturë”, ka thënë ai.

Hoxha ka shtuar se sipas informacioneve fillestare vozitësi gjatë qarkullimit ka humbur kontrollin mbi automjetin, duke u vetaksidentuar dhe është rrokullisur.

“Janë informuar ekipet relevante, drejtuesi si pasojë e lëndimeve të marra është dërguar për trajtim mjekësor, përderisa njësitet kompetente policore kanë kryer procedurat e vendshiqimit për të hetuar shkaktarët e mundshëm të aksidentit”, thuhet në përgjigjen e tij për KALLXO.com.