Seanca e Trete Statusore

Akoma nuk janë dorëzuar të gjitha provat tek mbrojtja e katër krerëve të UÇK-së

Në seancën e tretë statusore e cila po mbahet në dhomat e specializuara të Kosovës është bërë e ditur se akoma nuk janë dorëzuar të gjitha provat të cilat i posedon Prokuroria e Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Përfaqësuesit e Prokurorisë deklaruan se deri me tani kanë nxjerrë një numër të madh të provave dhe materialeve mirëpo akoma nuk i kanë nxjerrë të gjitha provat e çështjes.

“Që nga konferenca e fundit ZSP ka nxjerrë dy lloj materiale. ZSP vazhdon të përmbushë detyrimet e veta në lidhje me materialet shfajësuese. Parashikohet që disa nga këto materiale të nevojiten masa mbrojtëse dhe në këtë moment nuk mund të bëjmë më shumë konkrete, dokumentet e tjera do të nxjerren në kohën dhe afatet e duhura” ,thanë nga ekipe e prokurorëve të specializuar.

Pas deklaratave të prokurorit të specializuar ka reaguar mbrojtja e ish- Presidentit, Hashim Thaçi.

David Hopper ka thënë se metoda me të cilën po nxjerrën materialet e Prokurorisë është metoda më e dobët e cila nuk e ndihmon aspak mbrojtjen pasi po mungon lidhshmëria e dëshmitarëve me provat.

“Ka pasur vështirësi me nxjerrjen e materialeve që janë trajtuar, por mbetet problem i përgjegjshëm mënyra se si ZSP nxjerrë materialet nuk ka qenë i dobishëm, ky sistem është më pak i dobishmi sepse mënyra se si bëhet zbulimi i materialeve dhe ndihma që mund të marrësh ky sistem duhet të jetë si një hartë rruge, udhërrëfyes për të ndihmuar mbrojtjen, për të kuptuar çështjen”, tha Hopper.

Ai shtoi se në këtë rast janë 124 dëshmitarë me pseudonime dhe se deri më tani nuk është bërë ndonjë përshkrim i tyre se çka do të diskutojnë këta dëshmitarë dhe nuk është bërë as lidhja e tyre me provat të cilat do ta ndihmonin mbrojtjen për tu përgatitur.

I zëshëm  në lidhje më këtë çështje ishte edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Emersson tha se mënyra se si po i shpalos provat Prokuroria është e padobishme pasi nuk po bëhen lidhjet e dëshmitarëve me provat dhe nuk janë ndarë cilat janë prova të dobishme e cilat janë të padobishme në lidhje me këtë rast.

“Ne nuk po ankohemi kot, që ne të bëjmë punën tonë duhet të kemi aktakuzën dhe ne duhet të shikojmë materiale të tëra për të kuptuar se çka po pretendon Prokuroria dhe ka rreth 34 vendngjarje krimesh të pretenduara dhe secila prej tyre ka kronologjinë e vet, ajo thjesht janë futur në një tufë materialesh dhe ne nuk jemi në gjendje të përgatitemi si duhet”, tha Emersson.

Ai tha se nga ato që ka parë deri më tani emri i Kadri Veselit nuk përmendet në asnjërën prej 34 vendeve që pretendohen se janë kryer krimet.

“Nëse nuk kemi nga Prokuroria se çka thonë ata për secilin të akuzuar atëherë nuk ka kuptim, janë 34 vendngjarje të krimeve që pretendohen dhe asnjë prej tyre nuk thuhet se Kadria Veseli ka qenë i pranishëm ose që ka kryer ndonjë prej tyre”, tha Emersson.

Ai shtoi se Prokuroria deri më tani nuk i ka dhënë mbrojtjes asnjë lloj ndihme për tu përgatitur dhe nuk i ka larguar provat relevante dhe jo relevante dhe kjo gjë sipas tij e ka bërë të pamundur fillimin e hetimeve nga ekipa hetuese që e ka themeluar.

Me çështjet e ngritura nga Hopper dhe Emersson u pajtuan edhe mbrojtësit e Krasniqit dhe Selimit.

Kjo është seanca e tretë statusore e cila po mbahet në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi po vazhdojnë të mbahen në paraburgim që prej kur u arrestuan në Kosovë.

Së fundi të katërt i janë drejtuar Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara me kërkesë për lirim me kusht pasi javë më parë kërkesat e tyre ishin refuzuar nga gjyqtari Nicolas Guillou.

Ata ishin arrestuar pasi ishin konfirmuar akuzat për krime të luftës kundër tyre.

Të gjitha akuzat që prokuroria pretendon se ishin kryer nga ata e tyre ishin hedhur poshtë nga katër krerët e UÇK-së.

Ata akuzohen se gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, Prokurori Xhek Smith i ngarkon Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin të cilët sipas tij ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxiten vrasjen e tyre.

Sipas prokurorisë krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitimë i shqiptarëve të Kosovës

Vrasjet për të cilat ata po akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi

Pjesë e aktakuzës 68 faqeshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtaret e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushinik ishte arrestuar një person nga pjesëtaret e UÇK-së ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë natë rresht ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushink kishin arrestuar afërsisht 30 persona ku disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.

Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc. Sipas prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civileve serb në Malishevë. Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civil ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së e më pas ishin qëlluar dhe vrarë.

Prokuroria e Specializuar në këtë aktakuzë nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe qendrën e paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion sipas prokurorit të specializuar gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga anëtaret e UÇK-së.

Një tjetër person sipas prokurorit të specializuar kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.

Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec, ata sipas aktakuzës ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre ndërsa nuk ishin parë më kurrë.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e si përmendura sipas prokurorit të Specializuar është përgjegjësia komanduese.

Të gjithë historikun e këtij rasti mund ta lexoni duke klikuar në këtë link.