Shkumbin Ahmetxhekaj

Ahmetxhekaj flet për përvojën si drejtor i përgjithshëm i RTK-së deri në dorëheqjen e tij

Ish-drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, në një intervistë ka deklaruar se dorëheqja e tij nga pozita e drejtorit të RTK-së erdhi sepse ose do të shkarkohej ose do të dorëheqej.

Ahmetxhekaj tha se pozitën e pranoi për të reformuar RTK-në.

Tutje ai tregoi se si u përball me personat që ishin me kontratë për shërbime të veçanta kur u vendos që të mos vazhdohet bashkëpunimi me ta.

“Nuk kemi të drejtë të kemi gazetarë e kameramanë me shërbime të veçanta. Kur e morën vesh se do të largoheshin disa më përshëndetshin me ‘Dobro vece’, ose pati edhe të tillë që më vinin në zyrë dhe më tregonin se kishin dajë ndonjë komandant lufte ose diçka tjetër, në kuptimin që ‘mendo mirë se çka do të bësh’” – deklaroi Ahmetxhekaj në “Klan Kosova”.

Ish-drejtori i RTK-së tha se ka pasur presione për largimin e drejtorit të televizionit, Festim Kabashi, me arsyetimin se ishte ‘nga ish-menaxhmenti’, teksa tregoi se Kabashi dha dorëheqje pas presioneve.

“E fundit ishte gjetja e ZKA-së se zgjedhja e tij ishte jo e rregullt” – deklaroi Ahmetxhekaj.

Zgjedhjen e Rilind Gërvallës si drejtor i televizionit në RTK, Ahmetxhekaj tha se si drejtor ka themeluar një komision për të përzgjedhur kandidatin më të suksesshëm për drejtor të televizionit dhe se Gërvalla ishte pjesë e garës me tre të tjerë.

“Pavarësisht se ka mbështetur partinë ai ishte pjesë e RTK-së, simpatia për partinë ajo dihet. Ai doli i pari në garën e brendshme, anëtarët e komisionit e kanë propozu, ata kanë qenë 5 veta” – thotë Ahmetxhekaj.

Shkumbin Ahmetxhekaj tha se kanë kërkuar materiale për të parë se a është Gërvalla anëtar i Vetëvendosjes por që nuk kanë mundur të gjejnë asgjë.

Tutje ai tha se kanë kërkuar informata edhe nga Vetëvendosje se a ka qenë në tri vitet e fundit në struktura drejtuese.

“Vetëvendosje na ka thënë se për tri vjetët e fundit nuk ka qenë në struktura udhëheqëse” -shtoi ai.

“Kam thënë që për shkak telasheve që pati, bordit i thash ta shqyrtojë kandidaturën e tij por nuk e rekomandova. Mora hap të heq përgjegjësinë” – deklaroi tutje ai.

Ushtrim autoriteti që të ketë pavarësi redaktoriale, Ahmetxhekaj tha se ka bërë tërë kohën.

Tutje shtoi se ai nuk ka pasur ndikime për punësime politike në RTK.

Ahmetxhekaj tha se në 7 muajt e fundit sa ishte në pozitë filloi të ketë ndikime politike. Derisa tregoi se u ftua në një takim nga kryeministri Kurti.

“Gjatë vitit 2023 nuk ka pasur tendencë të madhe për ndërhyrje politike. Më 3 dhjetor 2023, ditë e diel, u ftova në takim nga kryeministri Albin Kurti” – deklaroi Ahmetxhekaj në “Klan Kosova”.

Ai shtoi se kontakt më parë me kryeministrin Kurti nuk kishte pasur.

Tutje ai tregoi se çka u tha në takim, kurse shtoi se shpresonte se reformat në RTK ishin marrë parasysh dhe RTK-së t’i jepet buxhet shtesë.

“Zoti Kurti në njëfarë forme e pranonte që në RTK ka ndryshim por mendonte që duhet të ketë ndryshim shumë më të thellë. Në një moment tha që ‘mendoj që ka ardhë koha për një ndryshim të ri në menaxhment’. Nuk ishte shumë specifik që unë të largohesha por fakti që thotë ndryshime në menaxhment, atë e kuptova” – rrëfeu Ahmetxhekaj.

Ahmetxhekaj deklaroi se Kurti i tha që ndoshta do ishte i mirë ta përfaqësojë Kosovën diku.

Takim me ministrin Hajrulla Çeku pati ditën e nesërme.

“Në atë takim më pyeti dhe diskutuam për takimin e një dite më parë. Se çka kishim kuptuar dhe si të ecim tutje. Konkretisht, çfarë do të më bënte mua të jap dorëheqje nga pozita e drejtorit të përgjithshëm” – tregoi ai.

Çeku, sipas tij, deshi të sqaronte se a e kishte kuptuar Ahmetxhekaj porosinë e kryeministrit.

Kryetari i bordit të RTK-së sipas tij pati ndikim që ai të mos shkarkohej apo të japë dorëheqje në atë kohë.

Ai shtoi se të gjitha partitë politike kanë faj për gjendjen e RTK-së.

Tutje shtoi se ‘nuk mund të hesht’ për ndalimin e ndryshimeve pozitive që kishin filluar sipas tij.

“Ministri Çeku konsideronte që RTK duhej të ishte e pavarur. Një zonjë e strukturave të partisë është marrë me mua. Asnjëherë nuk më ka kontaktuar por ka vendosur për ndryshimin që ndodh në RTK. Një zonjë në Vetëvendosje, që sundon në Kosovë, vendos” – tregoi Ahmetxhekaj.

Emrin zonjës nuk ia përmendi por përgjigjja e tij ishte ‘po’ kur u pyet se a është ajo Dejona Mihali.

“Më 23 maj ka ndodhur një takim i jashtëzakonshëm me bordin, jam ftuar për të diskutuar çështje emergjente, dy orë pa u takuar bordi, në kundërshtim me Rregulloren. U ftova për disa vërejtje për raportin e punës, ftesa ishte e kundërligjshme” – deklaroi Ahmetxhekaj në “Klan Kosova”.

Ai shtoi se përmes moskalimit të raportit vjetor do të shkarkohej drejtori i përgjithshëm por që nevojiteshin 8 vota në bord.

Raporti thotë se kaloi me vonesë, në prill.

Në takimin e 23 majit (2024) deklaroi se në bord u fol për shkarkimin e tij.

“Më thanë që nuk kemi zgjidhje dhe se duhet ta ndërprejmë bashkëpunimin. Si arsye ishte rasti me drejtorin e Radio Kosovës. Bordi kishte kërku me marrë masa dhe unë kam marrë vërejtje por që u tha se nuk ishte e mjaftueshëm” – shtoi ai.

Ahmetxhekaj ka folur edhe për lajmin e tentim atentatit ndaj kryeministrit Kurti në Maqedoninë e Veriut.

Drejtori i televizionit, sipas tij, i dërgoi mesazh ku i thoshte se do të publikojë një lajm dhe se i ka burimet dhe ‘gjithçka është në kontroll’.

“Në Komisionin për Siguri, drejtori i AKI-së e ka konfirmu që ka ekzistu një plan i tillë. Dikush mund të thotë që është propagandë. Nuk e di burimin e informacionit por stafi na ka thënë që burimi është i sigurt dhe AKI e ka konfirmuar” – deklaroi ai.

Në fund të intervistës ai tha se u shkarkua për shkak të presionit politik.