Afera me patentë shoferë, dështon seanca fillestare
Rasti i njohur si “Patentë Shoferët” bëri që sot të mbushet gjykatorja e Gjykatës së Prishtinës nga 27 persona të cilët janë ulur në bankën e të akuzuarve në këtë rast.
Seanca e caktuar dështoi të mbahet për shkak të mungesës së të akuzuarve Laurat Shehu, Dragan Zhivkoviq, Premtim Topalli dhe Bashkim Jetullahu.
Andaj gjyqtarja e rastit Fatime Dërmaku e shtyu seancën në mungesë të kushteve ligjore.
Gjithsej në këtë rast janë të përfshirë 31 të akuzuar për veprat e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, marrje e dhënie ryshfeti si dhe vepra të tjera penale.
Të akuzuarit në këtë rast janë Naser Llugaliu, Filloreta Ajvazi, Fejzullah Ejupi, Flora Ferizi, Adem Binakaj, Leurat Shehu, Agim Restelica, Flamur Lekaj, Shaban Zuka, Eduard Brahimaj, Dragan Zhivkoviq, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti, Magbule Mehmeti, Fatush Topalli, Premtim Topalli, Burim Jashari, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi, Besfort Pozhegu, Naim Thaqi, Sylë Bejta, Ekrem Latifi, Bashkim Jetullahu, Dritmir Islami, Murtez Rama, Hasan Hasani, Milazim Demolli, Lindita Hoxha dhe Enver Fazliu.
Më 22 janar të vitit 2019 Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka njoftuar se, kishin pranuar informatë se disa persona u kanë mundësuar pajisjen me patentë shoferë personave të interesuar pa kaluar nëpër testet e nevojshme.
Këtë dyshoheshin se e kanë bërë në kundërvlerë të parave varësisht nga kategoria e patent shoferit.
Lidhur me këtë rast në muajin Korrik të po atij viti, Policia e Kosovës ka zhvilluar operacion ku u arrestuan 23 persona nën dyshimin se kanë kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrja e ryshfetit.
Në mesin e këtyre personave ishin disa zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, menaxher, mjekë dhe psikolog të një ordinance dhe bashkëpronarë të një autoshkolle.
Dosja e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar në atë kohë KALLXO.com, tregon për mënyra të ndryshme të kalimit të testeve me marrëveshje paraprake si dhe shumat të cilat kandidatët i paguanin për marrjen e një patentë-shoferi.
Çmimet të cilat paguheshin për marrjen një patentë-shoferi nga kandidatët silleshin prej 400 deri në 1000 euro, varësisht kategorisë dhe marrëveshjeve paraprake me zyrtarët.
Lidhur me këtë rast deri tani është ngritur aktakuza ndaj 31 personave si dhe e njëjta është ndryshuar para mbajtjes së seancës fillestare.
Dosja e Prokurorisë: Sa paguanin kandidatët për blerjen e një patentë-shoferi