Afër fundit rigjykimi ndaj ish-shefit të shërbimeve publike në Malishevë

Ismet Mazreku, edhe sot është ulur në bankën e ta akuzuarit në Gjykatën e Gjakovës, para trupit gjykues Nikollë Komani, Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli, ku u ballafaqua me deklaratat e dëshmitarit Muharrem Hoti.

Mazreku, po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kophën kur ishte shef i shërbimeve publike në Malishevë.

Ismet Mazreku, ish-shef i Shërbimeve Publike në komunën e Malishevës, po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës se kishte bërë manipulime me furnizim të kablloselektrike në fshatin Gajrak të Malishevës, në vlerë mbi 8 mijë euro.

Muharrem Hoti, është fituesi i tenderit i firmës N.T.Sh. “Leoni”, në këtë çështje.

Dëshmitari Muharrem Hoti, tregoi se kablloja është pranuar në mënyrë të rregullt nga i akuzuari Ismet Mazreku në vend të ngjarjes, i cili e ka parë kabllon dhe pastaj është krhyer në zyre dhe e ka bërë raportin.

Sipas dëshmitarit, në kontratë ai ka pasur vetëm të e furnizojë komunënë me kabllo e ndërtimin pse vendosjen e saj do ta bënte KEDS-i.

Ndërsa, i akuzuari Ismet Mazreku në Prokurori kishte deklaruar që nuk kishte dalë në vendin e ngjarjes por që i kishte besuar pronarit të kompanisë Muharrem Hoti.

Pas kësaj deklarate, i akuzuar Ismet Mazreku kishte vërejtje në deklaratën e dëshmitarit Muharrem Hoti.

I akuzuari Mazreku tha se është prerë në besë nga Muharemi sepse në vend të ngjarjes pastaj kablloja nuk ka qenë.

Më pas, i akuzuari doli pranë gjykatores që të japë mbrojtjen e tij.

Ismet Mazreku tha se mbetet pranë deklaratës së tij në gjykimin e parë.

Ai tha se i ka besuar dëshmitarit Muharrem dhe kompanisë së tij “Leoni”, që do ta bëjë realizimin e projektit.

“Pasi që kam pasur besim te kompania, e kam bërë raportin nga zyrja pa dalur në vendin e ngjarjes. Kam vërejtur që kablloja e komunës nuk është vendosur në vendin e duhur dhe se i njëjti më ka pre në besë sepse kam pasur shumë besim tek Muharrem Hoti”, deklaroi i akuzuari Ismet Mazreku.

Mazreku tha se në bazë të rregullave ligjore, ai kishte qenë i obliguar që të dalë në vendin e ngjarjes, por që sipas tij të njëjtin veprim nuk e kishte bërë.

Ai tha se ky është rasti i vetëm që 7 vite që ka ndodhur në këtë formë.

“Unë po e pranoj gabimin që e kam bo që s’kam dalë në vendin e ngjarjes, po gjykata le të vendos qysh të dojë”, ishin fjalët e fundit të të akuzuarit Ismet Mazreku.

Në këtë rast me 16 dhjetor do të jepet fjala përfundimtare.

Në këtë rast ka dëshmuar edhe përfaqësuesi i komunës, Mujë Sahitaj.

Seanca e kaluar ishte shtyrë për shkak se i akuzuari ka kërkuar të flasë me prokurorin.

Mazreku akuzohet se ka pranuar kabllon me tension të ulët ndërsa kablloja është dashur të vendoset me tension të lartë, sipas shkresës së raportit.

Ky rast, pasi që kishte marrë verdiktin përfundimtar nga Gjykata Themelore e Gjakovës, ku ishte dënuar me 6 muaj burg, por ky dënim me kërkesën e të akuzuarit iu zëvendësua me gjobë prej 3.400 euro dhe më pas të njëjtin vendim e kishte aprovuar edhe Gjykata e Apelit.

Poashtu, si obligim tjetër Ismet Mazrekut i’u kishte dhënë edhe kompenzimi i dëmit ndaj komunës së Malishevës, në shumë prej 8.727.90 euro.

Kundër këtij vendimi, avokati i të akuzuarit kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Sipas vendimit të Apelit, aktgjykimi i gjykatës së Gjakovës nuk përmbante shkelje të dispozitave të procedurës penale, të cilat do ta kishin kushtëzuar anulimin e aktgjykimit dhe se në të njëjtin aktgjykim ishin dhënë arsyet e duhura mbi faktet vendimtare.

Poashtu, sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë e kishte vërtetuar se i akuzuari Ismet Mazreku kishte kryer veprën penale, sepse i njëjti kishte lëshuar fatura se gjoja e kishte blerë kabllin elektrik të fshatit Gajrak sipas kontratës me numër 74, të nënshkruar nga zyra e prokurorimit public në mes të komunës së Malishevës dhe autoritetit kontraktues, e cila kontratë nuk ishte realizuar nga komuna, por punët për montimin e kabllos elektrike ishin kryer nga KEDS-i.

Mirëpo, pas kërkesës për mbrotje të ligjshmërisë të parashtruar nga avokati i të akuzuarit Emrush Kastrati, Gjykata Supreme kishte anuluar të dyja vendimet dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim në Gjykatën e Gjakovës.

Sipas vendimit të Supremes, arsyetimi i aktgjykimit të shkallës së parë kishte qenë në kundërshtim me dispozitivin, në kundërshtim me përmbajtjen e kontratës së prokurorimit dhe se i njëjti dispozitim ishte i pakuptueshëm.

Në vendimin e Supreme thuhet se pretendimi në kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë për atë se nuk ishte vërtetuar dashja e të dënuarit në kryerjen e veprës penale dhe se në dëm të tij është bërë shkelje e ligjit penal, është i bazuar.

Gjatë gjykimit, i akuzuari ishte deklaruar i pafajshëm për veprat për të cilat e akuzon Prokuroria.

Në këtë rast, KEDS-i pretendon se ata e kanë vendosur kabllon në fshatin Gajrak të Malishevës, mirëpo në anën tjetër komuna thotë se ka blerë kabllo përmes procedurës së prokurorimit dhe kanë vendosur kabllon në të njëjtin fshat.

Sipas aktakuzës, Ismet Mazreku në cilësinë e shefit të shërbimeve publike në komunën e Malishevës, kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik.

Në aktakuzë thuhet se me rastin e inicimit të kërkesës për furnizim me kabllo elektrike të fshatit Gajrak të komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit nga N.T.Sh “Leoni” në vlerë prej 8.727.90 euro, me kabllo me gjatësi prej 410 metra, të cilën kabllo e kishte pranuar dhe e kishte përgatitur raportin e pranimit për furnizim me kabllo elektrike, por nuk vërtetohet që e njëjta është investuar në fshatin Gajrak të komunës së Malishevës.