Afër fundit gjykimi për vrasjen e Agonis Tetajt në Deçan

Drejt fundit është duke shkuar gjykimi për vrasjen e Agonis Tetajt, i cili ishte vrarë në vendin e tij të punës, në kompaninë “Gogaj AG” në Deçan.

Për këtë vrasje po akuzohet 20-vjeçari Shaban Gogaj, djali i pronarit të kompanisë.

Ai po akuzohet se me armë zjarri privoi nga jeta Agonis Tetajn duke e qëlluar në kokë.

Isuf Cacaj që po akuzohet për armëmbajtje pa leje, doli sot para Gjykatës për të dhënë versionin e tij për momentet tragjike të datës 23 shtator të vitit 2018.

Cacaj e pranoi fajësinë për këtë vepër penale.

Ai tha se arma e zjarrit më të cilën ishte kryer vrasja dhe arma me gaz ishin të dyjat në sirtarin e punës së kompanisë.

Cacaj tha se Shaban Gogaj nuk e ka ditur se ku ishte arma e zjarrit.

“Nuk e di, nuk e besoj që e ka pa se nuk e kam ekspozu, as gruja ime nuk e ka pa”, tha dëshmitari Cacaj.

Cacaj tha se armën e zjarrit e mbante për shkak të sigurisë, ndërsa armën tjetër me gaz e kishte lënë në firmë në rast të ndonjë grabitjeje.

Dëshmitari gjatë dëshmisë së tij tha se nuk ishte deklaruar për këtë çështje në Prokurori sepse sipas tij prokurorja e rastit i kishte thënë të ndalonte se dërguari njerëz të familja Tetaj.

“Prokurorja me tha që ka me m’arrestu nëse nuk ndalna së dërguari njerëz të familja Tetaj. Unë i thash unë kam me i dërgu për falje e ti bon çka dush me mua”, tha ai

Nëna e të ndjerit Agonis Tetaj, Nurie Tetaj, tha se kishte kërkuar nga prokurorja e rastit të merrte masa.

“Unë jam ajo që kam kërkuar nga prokurorja këtë se na kanë lodhë njerëzit duke na ardhë në shpi. I thash prokurorës merr diçka masa se na kanë lodhë njerëzit e jemi me mërzi tonën”, deklaroi ajo.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 16 prill.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përball tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit A.H. dhe F.Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Në këtë gjykim, që po zhvillohet në Gjykatën e Pejës, i akuzuar është edhe Isuf Cacaj. Ky akuzohet për armëmbajtje pa leje.