Adelina Ismaili sot pritet të dëshmojë sërish në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës

Në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar shtytje në rastin e vrasjes së Triumf Rizës sot pritet të dëshmojë Adelina Ismaili.

Adelina Ismaili së bashku me dy motrat Ema dhe Zanifina Ismailin janë ftuar nga Gjykata e Prishtinës për të dhënë dëshmi lidhur me këtë çështje penale, lajmin për KALLXO.com e konfirmoi avokatja Kosovare Kelmenedi, mbrojtësja e Enver Sekiraqës.

“Janë ftuar në seancën e fundit, për të dhënë dëshmi sot”, deklaroi avokatja Kelmendi.

Kallxo.com është munduar ta kontakojë Ismailin në telefon, por e njëjta ishte e paqasshme.

Enver Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht 2007.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007, e që sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha si ekzekutor ishte dënuar me 35 vite burg.

Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.