83 vjeçari shpallet fajtor për ryshfet

Me 6 muaj burg me kusht dhe 150 euro gjobë është dënuar 83- vjeçari Lazar Nikoliq për akuzën e dhënies së ryshfetit.

Nikoliq u akuzua se derisa kishte shkuar në Qendrën Regjionale të Administratës së Pensioneve (QRAP) në Prizren i ka ofruar 50 euro ryshfet zyrtarit të kësaj Qendre.

Sipas dosjes, Nikoliq, në cilësinë e pensionistit, këto të holla dyshohet se ia ka dhënë zyrtarit të QRAP për t’i krijuar vetes lehtësi.

Të hënën, pas ballafaqimit me akuzën Nikoliq e ka pranuar fajësinë dhe ka treguar versionin e tij rreth rastit.

“Pranoj fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohem. Pendohem për veprimet dhe gabimin po ashtu premtoj se në të ardhmen nuk do të bie në konflikt më ligjin”- ka deklaruar Nikoliq.

Ai ka shtuar se bashkëshortja e tij është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe për shkak të gjendjes, nuk ka mundur të paraqitet në zyrën e QRAP-s. Për këtë Nikoliq ka sqaruar se i ka sjellë dokumentet si provë se e njëjta gjendet në spital.

Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua nga ana e prokurorit, Mehdi Sefa.

Prokurori Sefa shtoi se pas pranimit të fajësisë, prokuroria kërkon nga gjykata që ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit të akuzuarin. Prokuroria kërkoi që gjatë matjes dhe shqiptimit të dënimit, gjykata të ketë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Gjykata e Prizrenit mori vendim që të pandehurin ta dënojë me kusht në kohëzgjatje prej 6 muaj burg i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse brenda një viti nuk kryen vepër të re penale. po ashtu të njëjtit iu shqiptua dhe 150 euro gjobë.

I njëjti u obligua që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën 30 euro dhe 50 euro mbrojtjes së viktimave.

Dosja e Prokurorisë thotë se i dyshuari Lazar Nikoliq më 26 tetor 2022, në QRAP në Prizren, në mënyrë të tërthortë i ka ofruar përfitim personit zyrtar që ai mos të veprojë në pajtim me detyrat zyrtare.

Sipas akuzës, pasi i pandehuri është paraqitur në sportelin e QRAP-së, për të vazhduar realizimin e pensionit në çdo 6 muaj dhe për t’i krijuar vetes lehtësi, në brendinë e sportelit të zyrtarit N. A. kishte vendosur një pliko të bardhë në të cilën kishte vendosur kartëmonedhën 50-euroshe.

Me këto veprime ai po akuzohet se ka kryer veprën penale – dhënia e ryshfetit.