8 vite nga ngritja e aktakuzës, nuk mbahet seanca për krim të organizuar

Seanca për krim të organizuar, aktakuza e së cilës është ngritur në tetor të vitit 2012, ndaj Burim Krasniqi, Sabri Osmani, Milaim Agushi, Bekim Beqiri, Shaban Krasniqi, Ismet Rushiti, Sami Qitaku, Egzon Rrustemi dhe Valmir Gashi ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën e Prishtinës.

Sipas prokurorisë nga fillimi i vitit 2011 deri në korrik të vitit 2012, të akuzuarit duke vepruar si grup i organizuar dhe strukturuar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kanë kontrabanduar emigrantë.

Kjo seancë nuk u mbajt për arsye se të akuzuarit Ismet Rushiti dhe Sami Qitaku gjenden jashtë Kosovës, ashtu që ndaj të njëjtëve gjyqtari i vetëm gjykues, Musa Konxheli tha se kanë lëshuar urdhër arrest.

“Ndaj të akuzuarve Ismet Rushiti dhe Sami Qitaku, kemi lëshu urdhër arrest pasi që nuk janë në Kosovë dhe janë bërë verifikimet”, tha gjyqtari Konxheli.

Arsye tjetër e mosmbajtjes së kësaj seance është dhe mungesa e të akuzuarit Valmir Gashi. I cili sipas mbrojtësit Ramë Gashi me 28.10.2020, rezultoi pozitiv me Covid-19.

“Valmir Gashi, nuk është prezent sepse me 28.10.2020 sipas IKSHPK, rezultoi pozitiv me Covid-19”, tha avokati Ramë Gashi.

Valmir Gashi nga Prokuroria akuzohet se ka ndihmuar Burim Krasniqin që pas kryerjes së veprës penale të arratiset nga Kosova.

Sipas prokurorisë nga fillimi i vitit 2011 deri në korrik të vitit 2012, të akuzuarit duke vepruar si grup i organizuar dhe strukturuar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kanë kontrabanduar emigrantë.

Më tej në aktakuzë thuhet se Burim Krasniqi si organizator i grupit, në lagjen “Qëndresa” në podrumin e shtëpisë së tij dhe Ismet Rushiti në firmën e tij “Ylli Disinge” në Prishtinë kanë prodhuar dokumente të ndryshme të falsifikuara, pasaporta, kartela të bankës, letërnjoftime, patentë-shoferë me çmim 800 deri në 1,200 euro.

Sipas aktakuzës, këto dokumente të falsifikuara janë përdorur për t’i dërguar të dëmtuarit në mënyrë ilegale nga Kosova në shtetet evropiane. Emigrantët të cilët kanë arritur marrëveshje për të dalë jashtë vendit me të akuzuarit, kanë kaluar nëpër Serbi dhe pastaj në këmbë kanë shkuar deri në Hungari, ku më pas janë shpërndarë me veturë në vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian. Për këto udhëtime në mënyrë ilegale, emigrantët është dashur të paguajnë 2,400 deri në 2,700 euro.

Burim Krasniqi dhe Ismet Rushitin prokuroria i akuzon edhe për falsifikim të dokumenteve.

Milaim Agushi akuzohet edhe se kishte poseduar substanca narkotike me qëllim që të ia shiste personave të mitur. Ndërsa gjatë bastisjes së shtëpisë së tij ishin gjetur edhe substanca tjera narkotike në sasi prej 0.420 gr të ndara në qese të vogla të cilat ishin përgatitur për të i shitur.

Ndërsa Valmir Gashi sipas aktakuzës e ka marrë të pandehurin Burim Krasniqin nga qyteti i Prishtinës dhe e ka dërguar në pikën kufitare të Vërmicës dhe gjatë rrugës ja ka dhënë edhe telefonin e tij në dispozicion të pandehurit duke i ndihmuar që të arratiset pasi kishte kryer veprën penale.

Seanca e radhës do të mbahet me 3 dhjetor në ora 9:30.