PTK - Foto: KALLXO.com
73 ditë pas, Apeli ende nuk ka vendosur ndaj ish-shefave të PTK-së
Gjykimi ndaj ish-shefave të ‘Postës’, ku akuzoheshin Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe ish-kryetari i Bordit të Telekomit Rexhë Gjonbalaj, përfundoi me verdikt lirues për shkak se nuk u provua se të akuzuarit kishin kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Por ndaj këtij vendimi të gjykatës së shkallës së parë kishte paraqitur ankesë prokurori i çështjes Naim Abazi.
Apeli kishte pranuar ankesën së bashku me përgjigjet në ankesë me datën 20 janar 2020.
Nga data 20 janar 2020 e deri më sot 02 prill 2020 kanë kaluar 73 ditë ose 2 muaj e 13 ditë nga dita kur lënda është pranuar në gjykatën e shkallës së dytë.
Vendimi në këtë çështje penale me të cilin u liruan për herë të dytë Mustafa, Qerimi dhe Gjonbalaj, ishte marrë me datën 21 tetor të vitit të kaluar nga trupi gjykues në krye me gjykatësin Lutfi Shala.
Gjykata e Apelit e pyetur nga KALLXO.com se a është vendosur në lidhje me këtë lëndë ka marrë përgjigje se kjo lëndë është duke u proceduar nga kolegji special por ende nuk është vendosur.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Ejup Qerimi, si kryeshef ekzekutiv i PTK-së, akuzohet se gjatë periudhës kohore shkurt 2012 – tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ndërkaq, i pandehuri Agron Mustafa, ish-kryeshef ekzekutiv i Telekomit, nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse, e deri më 24.05.2017, edhe pse nuk ka qenë kompetent, kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar, nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale një kompanie tjetër. Sipas Prokurorisë, me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Po ashtu, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, theksohet se i pandehuri i tretë Rexhë Gjonbalaj duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Aktakuza thotë se me këto veprime i pandehuri Rexhë Gjonbalaj ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Aktakuza ka të bëjë me veprimet që i paraprinë vendimit të Gjykatës dhe pastaj kontestit në Arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Z-Mobile dhe Valës.
Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit. Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës.