7 vite e 6 muaj burgim burrit për akuzën që tentoi të vrasë gruan e tij

Agron Gashi nga Klina është gjetur fajtor nga gjykata e shkallës së parë për akuzën se ka tentuar të privojë nga jeta gruan e tij, të dëmtuarën V.B.

Atij për këtë akuzë, iu shqiptua dënimi prej 7 vite e 6 muaj burgim.

Ndërsa për dy vepra penale të armëmbajtjes pa leje, duke zbatuar dispozitat për shqiptimin e dënimit unik, iu shqiptua dënimi me gjobë prej 1,000 eurove.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sami Sharraxhiu tha se të akuzuarit me vendim i vazhdohet paraburgimi.

Aktakuza e Prokurorisë së Pejës thotë se Agron Gashi me dashje ka tentuar të privojë nga jeta gruan e tij, duke rrezikuar kështu edhe jetën e djalit dhe vajzës së tij.

Sipas Prokurorisë kjo ka ndodhur për shkak të një fjalosje mes të akuzuarit dhe djalit të tij, ku ky i fundit ka tentuar ta largojë të akuzuarin jashtë derës hyrëse të shtëpisë.

Prokuroria pretendon se i akuzuari më të dalë jashtë ka shtënë me armë në drejtim të derës së hyrjes, e më pas i njëjti i është afruar derës, ndërsa gruaja e tij me djalin, kanë mbajtur derën duke tentuar të largojnë të akuzuarin nga aty.

Aktakuza thotë se i akuzuari pastaj ka shtënë në drejtim të derës dhe dy herë në drejtim të gruas së tij, duke e qëlluar atë, e duke i shkaktuar kështu dëmtime të rënda trupore në boshtin kurrizor, në gjoks dhe në parakrahun e dorës së djathtë.