Foto: Kallxo.com

5 vjet burg për sulm me thikë dhe grabitjen e një Iphone

Edmond Limanaxhiu dhe Halit Korenica, të akuzuar për grabitje në bashkëkryerje, u dënuan me 5 vjet burgim.

Limanaxhiu mori 3 vjet burgim, ndërsa Halit Korenica 2 vjet për një vepër penale për të cilën akuzoheshin se e kanë kryer para dy viteve.

Aktakuza e Prokurorisë e ngarkon Edmond Limanaxhiu dhe Halit Korenica me veprën penale të grabitjes në bashkëkryerje të kryer në qershor të vitit 2018 në Rahovec.

Ndërsa, pala e dëmtuar Denis Krasniqi u udhëzua në kontest civil, për kompenzimin e dëmit.

Gati para dy vitesh, që të dy ishin deklaruar të pafajshëm ndaj akuzës së Prokurorisë.

Në aktakuzë thuhet se dy të akuzuarit bashkë me të miturin J.Sh., duke përdorur forcën kanë sulmuar Denis Krasniqin.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Edmond Limanaxhiu duke e kapur për fyti të dëmtuarin Denis Krasniqi, ndërsa i akuzuari Halit Korenica nën kërcnimin e një thike e ka gërvishtur në këmbën e majtë dhe që të dy pastaj e kanë goditur me boksa, shqelma e shuplaka të dëmtuarin.

Pas këtyre veprimeve, ata nga xhapi i të dëmtuarit kanë arritur të marrin një Iphone 5s, një pako cigare dhe 4 euro, e më pas ishin larguar.