Foto: KALLXO.com

5 vite pas ngritjes së aktakuzës, sot pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Qemajl Mutafës, i akuzuar për krim të organizuar

Kanë kaluar 5 vite prej kur Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzën voluminoze kundër ish kryetarit të Gjilanit Qemajl Mustafa dhe 38 të akuzuarve të tjerë.

Sot trupi gjykues me kryetaren, gjyqtaren Nushe Kuka-Mekaj pritet të bëjë shpalljen e aktgjykimit.

Me ketë aktakuzë Prokuroria pretendon se kishte zbuluar një grup kriminal në krye me ish kryetarin e Gjilanit i cili kontrollonte dhe i kurdiste tenderët për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.

Sipas Prokurorisë Speciale pronarët e kompanive që akuzohen në këtë proces me rastin e ofertimit në tenderët e Komunës fillimisht e kontaktonin Qemajl Mustafën dhe më pas koordinoheshin në mes veti se cili nga ta do të shpallej fitues në tenderin e caktuar duke i kurdisur kështu aktivitetet e prokurimit.

Procesi gjyqësor ndaj ish kreut të Gjilanit është përshkruar me zvarritje të shumta procedurale.

Aktakuza për këtë rast penal ishte kthyer dy herë për plotësim dhe ndryshim nga gjyqtari Loka i cili kishte udhëhequr me këtë proces gjyqësor, por pas pensionimit tani në krye të trupit gjykues është gjykatësja Kuka-Mekaj.

Pasi ishte plotësuar dy herë akti akuzues gjyqtari i çështjes Sylë Lokaj gjatë vitit 2017 e kishte hedhur poshtë krejtësisht aktakuzën.

Hedhja poshtë e aktakuzës nga ish Gjyqtari i Krimeve të Rëndë nuk ishte aprovuar nga Gjykata e Apelit e cila kishte konstatuar se gjyqtari nuk kishte dhënë arsye se pse ishte hedhur poshtë akti akuzues.

Pas këtij vendimi të apelit, Gjykata në Pejë e kishte mbajtur shqyrtimin fillestar dhe i kishte pranuar ankesat e të akuzuarve.

Pas trajtimit të këtyre ankesave përsëri gjyqtari Sylë Lokaj e kishte hedhur aktakuzën mirëpo kësaj radhe e kishte hedhur vetëm pikën e krimit të organizuar dhe jo në tërësi aktakuzën.

Sikurse me vendimin paraprak, as me vendimin e dytë për hedhjen poshtë të krimit të organizuar nuk u pajtua gjykata e Apelit.

Apeli me vendimin e vitit 2019 e kishte urdhëruar gjyqtarin Sylë Lokaj që të fillonte gjykimin për krim të organizuar kundër ish kreut të Gjilanit dhe 36 të tjerëve.

Në ketë proces ish kryetari i Gjilanit Qemajl Mustafa akuzohet se ka qenë “koka” e një grupi kriminal i cili është marrë me kurdisjet e dhënies së tenderëve për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.

Prokuroria pretendon se kompanitë në Gjilan i fitonin tenderët në bazë të kurdisjeve me ish-kryetarin dhe menaxheren e prokurimit.

Në aktakuzë thuhet se Qemajl Mustafa duke e përdorur fuqinë e tij si kryetar i komunës ka koordinuar dhe ka qenë në dijeni për të gjitha aktivitetet e prokurimit, me ç’rast ai vendoste edhe për caktimin e anëtareve të komisioneve vlerësuese të dhënies së tenderëve.

Sipas Prokurorisë Speciale grupi në krye në Qemajl Mustafën kishte për qëllim dhënien e tenderëve për kompanitë e ndryshme duke i eliminuar kompanitë me ofertat me të volitshme.

Në aktakuzë pretendohet se Qemajl Mustafa ne mënyre arbitrare pa  respektuar procedurat e prokurimit i kishte dhëne pune kompanisë “Bejta  Comerce” me pronar të pandehurin Basri Kqiku në shume prej  787,000.00 euro.

Prokuroria i akuzon të pandehurit: Qemajl Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qefsere Sadriu, Ilaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Heset Mahmuti, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi, Merita Canaj Shabani, Ibrahim Foniqi, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku dhe Naim Jashari, për veprën penale – krimi i organizuar lidhur me veprën penale shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit.

Pjesë e aktakuzës ka qenë edhe Behar Mehmeti por procedura ndaj tij është ndërprerë.

Ndërsa të pandehurit: Basri Kqiku, Avdyl Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, akuzohen për veprat penale – krimi i organizuar lidhur me veprën penale -keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi.

Aktakuza fillestare pati 39 të akuzuar, mirëpo i akuzuari Behar Mehmeti ka vdekur kështu që Gjykata pushoi procedurën ndaj tij.

Të gjithë të akuzuarit e këtij rasti ishin deklaruar të pafajshëm në procesin i cili po zhvillohet në sallën e asamblesë komunale të Pejës për shkak të pamundësisë që salla e gjykatës në Pejë t’u bëjë vend të gjithë të akuzuarve.