49 vite burg për vrasjen me pagesë në Pejë

 

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së Pejës që i kishte shpallur fajtorë pjesëtarët e grupit të përbërë prej katër personave, nën akuzën për vrasjen e të ndjerit Ferdinand Gjini.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës se Pejës, Tringa Zhuti.

Katër të akuzuarit ishin dënuar me gjithsej 49 vite burgim.

Në këtë proces gjyqësor prokurorja e rastit Valbona Haxhosaj tregoi për kërcënimet që i janë bërë me vrasjen e fëmijëve dhe burrit të saj, e edhe për metodat që, sipas saj, janë përdorur nga i akuzuari Bekim Raja që ajo të tërhiqet dhe të dorëzohet nga rasti.

Në këtë rast janë përmendur edhe emra të tjerë dhe lidhje të biznesmenit Bekim Raja me deputetë të Kuvendit të Kosovës. Në përgjime telefonike Raja kishte kërkuar ndihmën nga babai i tij që të kontaktonte me deputetin Hajdar Beqa, ndërsa në një fotografi të publikuar ish-deputeti Beqa dhe Nasim Haradinaj ishin fotografuar duke pirë shampanjë në një jaht.

Që të dy nuk e kanë mohuar takimin ndërsa e kanë përshkruar Rajën si njeri human.

I akuzuari Bekim Raja që akuzohej se e porositi vrasjen me pagese të Gjinit u dënua me 15 vjet burgim, i akuzuari Avni Sinanaj me 9 vjet burgim, e Murat Sinanaj me 19 vjet burgim.

Ndërsa i akuzuari Gjon Pnishi, i cili ka bashkëpunuar me prokurorinë u dënua nga Gjykata e Pejës me 6 vjet burgim.

Prokuroria e Pejës kishte ngritur aktakuzë ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanajt dhe Avni Sinanajt nën dyshimet se në maj të vitit 2012, në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj të kryejnë vrasjen e Ferdinand Gjinit, duke premtuar dhe dhënë shpërblimin prej 100 mijë frangash zvicerane.

Sipas aktakuzës, më 23.06.2014, në Prapaçan të Deçanit, të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, në mënyrë dinake dhe e kanë shfrytëzuar krizën financiare të viktimës dhe e kanë mashtruar të njëjtin me substance narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturë nga Gjakova për në Deçan, e i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni Sinanaj.

Me këtë rast i pandehuri Gjon Pnishi, duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit Avni Sinanaj, i zë pritën dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Sinanaj gjuan me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

VIDEO – Vrasja me pagesë në Deçan: 49 vjet burg për vrasjen e Ferdinand Gjinit