Foto: KALLXO.com

48 policët dhe dy doganierët e arrestuar të dyshuar edhe për krim të organizuar

Arrestimi i 50 zyrtarëve shtetërorë për afera korruptive bëri bujë në të gjithë vendin. 48 prej zyrtarëve të arrestuar janë pjesë e Policisë së Kosovës ndërsa dy të tjerë janë zyrtar të Doganës së Kosovës.

Të gjithë të arrestuarit e aksionit të djeshëm janë paraqitur sot në Gjykatën e Prishtinës për t`u përballë me kërkesën për paraburgim të cilën e ka kërkuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë Speciale ku janë përshkruar të gjitha dyshimet e këtij organi për zyrtarët e arrestuar.

Sipas kësaj dosje një numër i madh i zyrtarëve policor po dyshohen për krim të organizuar, keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, ushtrim ndikimi, blerje e substancave narkotike si dhe kontrabandim i mallrave.

Këto vepra të njëjtit dyshohen se i kanë kryer nga gushti e deri në dhjetor të vitit 2021 në pikën kufitare “Qafë Morinë”, në Regjionin e Gjakovë.

Prokuroria dyshon se zyrtaret policor duke vepruar në mënyrë të organizuar dhe më qëllimin për të përfituar e kanë keqpërdorur detyrën e tyre dhe ju kanë mundësuar qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë shmangen tarifave doganore.  Disa nga ta dyshohen edhe se kishin marrë para në këmbim që ti lejonin personat nga Shqipëria që të hynin në territorin e Kosovës në kundërshtim me vendimet e qeverisë.

Shuma që dyshohet se të njëjtit e kanë marrë një për rast sipas prokurorisë ka qenë deri në 400 euro.

Sipas Prokurorisë më të Specializuar në vend hetimet kanë zbardhur se zyrtarët Ahmet Kasumaj, Ahmet Shabanaj, Agim Hadërgjonaj, Besim Lokaj, Demë Lokaj, Fatmir Sadiku, Fazli Gjonbalaj, Gani Ahmeti, Gëzim Hoxhaj, Gëzim Shabani, Gëzim Turkaj, Haki Dobraj, Hamëz Puka, Hysen Hasani, Isa Dobraj, Ismet Deva, Ismet Tahiraj, Kadri Selmonaj, Lush Himaj, Mërgim Bekaj, Rastim Tolaj, Skender Meta, Xhemë Hadërgjonaj, Xhevat Haklaj dhe Xhavit Lokaj në cilësinë e policëve kufitarë kanë pranuar shuma të ndryshme të parave në pikën kufitare Qafë Morinë dhe ju kanë mundësuar qytetarëve që ti shmangeshin tarifave doganore.

Hetimi siç është bërë e ditur deri me tani ka zgjatur rreth 1 vit ku sipas prokurorisë janë mbledhur prova përmes taktikave të fshehta hetimore si fotografimi, incizimi dhe përgjimi i fshehtë i bisedave.

Përpos Inspektoratit Policor të Kosovës në hetim janë përfshirë edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij rasti.

Detaje nga dosja e Prokurorisë që rëndon ndaj policëve dhe doganierëve të rrestuar dje

Policët kufitarë dyshohen se morën qindra euro ryshfet