300 euro gjobë për armë pa leje

Gjykata në Prizren, e ka gjetur fajtor dhe e ka dënuar me 300 euro gjobë të akuzuarin Shaban Morina për veprën penale armëmbajtja pa leje.

Sipas dosjes, Morina me datën 3 korrik 2017, në orën 13:00 në fshatin Kushnin, gjatë një kontrolli të policisë në shtëpinë e tij, është hasur duke mbajtur në pronësi dhe posedim një armë zjarri-pistoletë e llojit MOD-P88-9Cal9mm, P.A.K Carl Walther dhe 8 fishekë të kalibrit të panjohur, në mënyrë të paautorizuar, përkatësisht pa leje valide të organit kompetent.

Paraprakisht, në seancën e shqyrtimit fillestar ku të akuzuarit iu lexua aktakuza, Morina e pranoi fajësinë për veprën me të cilën u ngarkua.

“Këtë armë e kam blerë në Gjermani, me bindje se nuk më nevojitet leje për mbajtjen e armës në Kosovë pasi që një e drejtë e tillë është njohur në Gjermani”, deklaroi i akuzuari.

Morina gjithashtu kërkoi nga gjykata që t’i shqiptohet një dënim më i butë pasi që ishte i gjendjes së dobët ekonomike.

Pranimi i fajësisë nga i akuzuari u mbështet nga prokurorja e rastit Ervehe Gashi, ndërsa u aprovua nga gjykatësja e krimeve të rënda Teuta Krusha.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, ku i akuzuari u dënua me 300 euro gjobë, i njëjti u obligua që të paguaj paushallin gjyqësor në shumën prej 30 euro si dhe 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave.

Me anë të këtij aktgjykimi, të akuzuarit gjithashtu i është konfiskuar arma.