3 vjet burg dhe 1,000 euro gjobë për drogë dhe armë pa leje

Gjykata në Gjilan e ka dënuar të akuzuarin me inicialet B.M. duke i shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 3 vjet burgim dhe 1,000 euro gjobë pasi e ka gjetur fajtor në veprat penale të posedimit të drogës dhe armëve pa leje.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari B. M. më 17.02.2019, rreth orës 13:05 minuta, në shtëpinë e tij në fshatin Pozhoran të Vitisë, pa autorizim ka shitur substancë narkotike të llojit “heroinë” në peshë 2.1 gram në shumë prej 40 euro të akuzuarve S. S. dhe N.S.

Të njëjtën ditë, gjatë kontrollit të zyrtarëve policorë në shtëpinë e tij janë gjetur substancë narkotike të llojit heroinë në peshë 31.9 gram, tre paketime me substancë narkotike të llojit kokainë me peshë 2 gram dhe dy qese substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë 1.3 gram.

Të akuzuarit gjatë bastisjes është gjetur edhe një armë e zjarrit “Bereta” të kalibrit 7.65 mm.

“Kryetari i trupit gjykues Zyhdi Haziri, për këto dy vepra penale, të akuzuarin e ka gjykuar me dënim unik prej tre vjet burgim dhe 1.000 euro gjobë”, njofton Gjykata e Gjilanit.