27 vjet burgim për vrasjen e dyfishtë në vitin 2012 në Junik

Gjykata e Pejës i ka shqiptuar dënim prej 27 viteve të pandehurit Bujar Demajt për vrasjen e Vllaznim dhe Blerim Pukajt, si dhe për plagosjen e Nazmi Pukajt.

Kjo është bërë e ditur nga e Gjykatës së Pejës.

“Të pandehurin B.D gjykata e gjykoj me dënimin unik me burgim afatgjatë në kohëzgjatje prej njëzeteshtatë (27) vite, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim” thuhet në komunikatë.

Sipas aktakuzës Demaj, më 16 mars të vitit 2012 ka privuar nga jeta dy viktimat, Blerim Pukaj i moshës 27 vjeçare dhe Vllaznim Pukaj i moshës 32 vjeçare, ndërsa e ka plagosur të dëmtuarin Nazmi Pukaj, i moshës 35 vjeçare.

Sipas dosjes së Prokurorisë, viktima Vllaznim Pukaj martohet me motrën e të pandehurit Bujar Demajt, e cila në atë kohë ka qenë e martuar në Junik dhe pas 2 viteve, e njëjta përsëri martohet me nipin e viktimës Vllaznim Pukajt, ashtu që për shkak të këtyre martesave, raportet acarohen mes të pandehurit dhe familjes Pukaj.

Tutje sipas prokurorisë, në ditën kritike, derisa viktimat Blerim, Vllaznim dhe Nazmi Pukaj ishin në veturën e tyre, vërehen nga i pandehuri Bujar dhe i dënuari Shpend, të cilët i tejkalon me veturë automjetin e viktimave duke iu bllokuar rrugën dhe më pas nga automjeti del viktima Nazmi Pukaj, i cili i afrohet të pandehurit Bujar për të biseduar, ku nga prapa, në kokë goditet me bisht të sëpatës nga i dënuari Shpend.

Pasi rrëzohet në tokë Nazmi Pukaj, afrohet i pandehuri Bujar Demaj, i cili gjuan më revole dy herë në drejtim të tij duke e plagosur.

Më pas, i pandehuri Bujar Demaj, gjuan përsëri me revole, ku me një predhë në gjoks, e godet për vdekje viktimën Blerim Pukaj.

Kurse, thuhet se në momentin kur viktima Vllaznim tenton të ikë, i pandehuri e godet me dy predha nga mbrapa, e që gjatë rrugës për në spital, vdes.