25 vite burgim të akuzuarit për vrasjen e ndodhur në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës
Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 25 vite burgim Valon Ibërdemajn për vrasjen e ndodhur rreth katër vite më parë në objektin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).
Ibërdemaj u gjet fajtor për vrasjen e Isa Sejdiun, kurse më pas, sipas aktakuzës kishte rrëmbyer një punëtore tjetër.
Lidhur ne këto akuza, për veprën penale vrasje e rëndë Valon Ibërdemaj u dënua me 21 vite burgim, për veprën penale të rrëmbimit me tri vite burgim dhe për armëmbajtje pa leje me 1 vit e 6 muaj burgim. Ndërkaq, ndaj tij u shqiptua dënim unik prej 25 vitetesh burgim.
Në këtë dënim, Ibërdemajt do t’i llogaritet qëndrimi në paraburgim nga 4 shtatori 2018 deri në datën e sotme 18 mars 2022.
I akuzuari po ashtu u obligua që të paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumë prej 200 euro si dhe 50 euro në emër të fondit të viktimave të krimit.
Të akuzuarit i është konfiskuar arma, ndërsa gjykata i ka refuzuar prokurorit kërkesën për konfiskimin e veturës si në aktakuzë.
Sipas prokurorisë Valon Ibërdemaj akuzohej se më 4 shtator 2018, rreth orës 09:31, në bufenë e objektit të AKI-së në Prishtinë, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Isa Sejdiu, siç thuhet për shkak të xhelozisë, pasi që tani i ndjeri një ditë më parë në kohën e drekës, duke bërë shaka iu ka thënë zyrtarëve të AKI-së se gjoja do të bëhet i madh, pasi ato ditë pritej të emërohej zëvendësdrejtori i AKI-së.
Aktakuza tutje përshkruan se derisa i ndjeri ishte në vendin e tij të punës, si menaxher kuzhine, ka shkuar i pandehuri në kuzhinë me revole në dorë, e ka thirrur në emër “Isa”, e tani i ndjeri është përgjigjur duke thënë “Urdhno xhaxh”, dhe i pandehuri menjëherë ka shtënë dy herë në distancë prej rreth tre metrash, e ka goditur në pjesën e majtë të gjoksit dhe i ka shkaktuar plagë vdekjeprurëse, e më pastaj me revole në dorë ka dalë në oborr, i është afruar të dëmtuarës, ia ka vendosur revolen në kokë dhe e ka dërguar deri te vetura e tij, që ndodhej në parkingun e AKI-së.
Sipas pikës së dytë të aktakuzës, thuhet se pasi ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, i pandehuri ka rrëmbyer F. B., në atë mënyrë që derisa e dëmtuara ka qenë duke pirë kafe në oborrin e objektit të AKI-së, papritmas ka dalë i pandehuri nga objekti me armë në dorë dhe i është afruar asaj dhe nën kanosje të armës e ka detyruar që të shkojë te vetura e të pandehurit, e cila ishte e parkuar në parkingun e AKI-së dhe e i ka vënë armën në kokë.
Pastaj, sipas aktakuzës, e ka urdhëruar të shkojë në drejtim të portës kryesore të daljes nga oborri i AKI-së, e posa ka mbërritur te porta kryesore, aty i ka kanosur me armë edhe pjesëtarët e sigurimit, duke iu drejtuar me fjalët “e vrava, shkoi çika”.
Në aktakuzë thuhet se ai ka dalë nga vetura, ka marrë të dëmtuarën dhe vazhdimisht ka mbajtur armën nga ajo, ndërsa tjetrën dorë ia ka mbajtur rreth qafe, ka ecur për të dalë jashtë objektit dhe kur është afruar te dera ka shkuar te komanda për ta hapur derën dhe aty është penguar nga zyrtari Sh. Sh., ndërsa zyrtari E. B., duke e parë atë gjendje, ka rënë në gjunjë para të pandehurit dhe i është drejtuar me fjalën “nëse dëshiron të vrasësh dikënd, më vrit mua”, e i pandehuri në ato çaste thuhet se i është drejtuar atij me fjalët “vetëm ty ta dha armën”, e më pas ia ka dhënë armën ku edhe është liruar e dëmtuara.
Në pikën e tretë të aktakuzës, thuhet se nga koha e papërcaktuar e deri më 4 shtator 2018, i pandehuri pa autorizim ka poseduar armën e llojit të lartcekur, me të cilën ka kryer veprën penale, ndërsa gjatë bastisjes nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në banesën e tij është gjetur edhe sekuestruar edhe revolja e tipit “Colt Amadeous ROSSI S.A 38 special” dhe një thikë.