Foto: KALLXO.com

22 vite burgim të akuzuarit për vrasjen e të miturit në Prishtinë

I akuzuari Eduard Ibrahimi të martën është shpallur fajtor dhe është dënuar nga Gjykata e Prishtinës nën akuzat për vrasje të rëndë.

Ibrahimi u gjet fajtor se më 12 mars 2020, ka privuar nga jeta të miturin, dhe me atë rast me dashje ka vënë në rrezik jetën e R. G. dhe B. S.

Eduard Ibrahimit gjykata i shqiptoi dënim unik prej 22 vite burgim.

Fillimisht ndaj tij për veprën penale vrasje e rëndë u shqiptua dënim me burgim prej 21 vitesh, ndërsa për armëmbajtje atij iu shqiptua dënimi më 1 vit e 6 muaj burgim.

Në një përgjigje për KALLXO.com Tahir Rrecaj, avokat i të akuzuarit ka thënë se vendimin do ta apelojë.

“Posa ta pranojë aktgjykimin në formë të shkruar, do ta apelojë në Gjykatën e Apelit, e nëse është e nevojshme çështjen do ta dërgojë deri në gjykatë Supreme”, tha avokati Rrecaj.

Avokati më tej ka thënë se ky dënim është shumë i lartë, duke konsideruar se kjo ka qenë mbrojtje e nevojshme.

“Vendimi është shumë i lartë, kjo ka qenë mbrojtje e nevojshme”, ka shtuar avokati Tahir Rrecaj.

Gjykata e Prishtinës sot i ka gjetur fajtorë edhe të akuzuarit e tjerë Përparim Ibrahimi, Egzon Matoshi dhe Lirim Begolli.

I akuzuari Egzon Matoshi për veprën penale të dhënies së ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale u dënua me 2 vite burgim duke iu llogaritur koha e kaluar në paraburgim.

Egzon Matoshi në seancën e 20 majit 2021 e kishte pranuar fajësinë që e kishte ndihmuar të akuzuarin Eduard Ibrahimi që të kryejë vrasjen.

Për të njëjtën vepër penale i akuzuari Përparim Ibrahimi u dënua me 3 vjet burgim në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim ndërsa për armë mbajtje pa leje ai u dënua me 1 mijë euro gjobë.

I akuzuari Lirim Begolli për veprën penale të dhënies së ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale u dënua me 2 vjet e 6 muaj burgim dhe të njëjtit koha e kaluar në paraburgim do t`i llogaritet në dënimin e shqiptuar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 18 nëntor 2020, Eduard Ibrahimi akuzohet se më 12 mars 2020, rreth orës 15:00, në Prishtinë, e ka privuar nga jeta të miturin L. B., dhe me atë rast me dashje ka vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve R. G. dhe B. S.

Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri Ibrahimi kishte pasur konflikt disa ditë më parë me të ndjerin L. B, dhe se vrasja kishte ndodhur derisa i ndjeri kishte qenë duke ecur rrugës së bashku me të dëmtuarit R. G. dhe B. S., nga drejtimi i lagjes “Arbëria” në drejtim të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, pas tyre kishin shkuar me motoçikletë-skuter i pandehuri Ibrahimi dhe i pandehuri Egzon Matoshi, të cilin e kishte drejtuar Ibrahimi, ndërsa prapa tij ka qenë ulur i pandehuri Egzon Matoshi.

Aty thuhet se kur janë afruar përafërsisht 10 metra, i pandehuri Eduard Ibrahimi e ka ulur shpejtësinë e lëvizjes dhe ka zbritur nga motoçikleta, të cilën e ka mbajtur i pandehuri Egzon Matoshi dhe pastaj menjëherë i pandehuri Eduard Ibrahimi e kishte nxjerr nga brezi pistoletën dhe kishte shtënë në drejtim të të ndjerit L. B, duke e qëlluar në kokë, e pastaj të dy kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në ato çaste dëshmitarët e lartcekur dhe kalimtarët e rastit ofrohen për t’i dhënë ndihmë L. B., por tani i ndjeri kishte pësuar dëmtime të rënda dhe pas disa minutave është dërguar për ndihmë mjekësore, ku edhe përkundër ndihmës mjekësore të ofruar nga mjekët në QKUK, kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Sipas prokurorisë, pranë vendit të ngjarjes ishte gjetur një armë zjarri pistoletë e gazit “Ekol Special”, me mbushje të barotit, si dhe një gëzhojë e kalibrit 7.65x17mm që është shkrepur nga kjo pistoletë, si dhe një gëzhojë e shkrepur nga pistoleta e të pandehurit.

Për këto veprime prokuroria Eduard Ibrahimin po e ngarkon me veprën penale “vrasja e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa të akuzuarin Egzon Matoshi, me veprën penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

Për të njëjtën vepër penale po akuzohet edhe Përparim Ibrahimi, i cili thuhet se i ka dhënë ndihmë të pandehurit Eduard Ibrahimi, duke i fsheh mjetet, provat e kryerjes së veprës penale. Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që pasi i pandehuri Eduard Ibrahimi e ka kryer veprën penale të përshkruar si në pikën e parë të aktakuzës, ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe ka shkuar tek i pandehuri Përparim Ibrahimi dhe të njëjtit ia ka dhënë armën e zjarrit pistoletë, me mbishkrim “Zragy” të njëjtën i pandehuri Përparim e ka fshehur tek shtëpia e tij ku më 13 mars 2020, arma e lartcekur është sekuestruar nga policia.

Tutje, ai akuzohet edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi sipas prokurorisë, nga 12 deri më 13 mars 2020 kur edhe i është sekuestruar arma nga policia, atë e ka mbajtur në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët e tilla, me të cilën Eduard Ibrahimi e ka kryer veprën penale të përshkruar si në pikën e parë të aktakuzës.

Edhe i pandehuri Lirim Begolli po akuzohet se u ka dhënë ndihmë kryesve pas kryerjes së veprave penale, të pandehurit Eduard Ibrahimi dhe të pandehurit Egzon Matoshi. Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që pasi dy të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara si më lartë, i pandehuri Lirim Begolli ka shkuar me veturën e tij të tipit “Golf 3” te shkolla “Zenel Hajdini” në Prishtinë, i ka marrë të pandehurit e lartcekur dhe i ka strehuar në shtëpinë e tij, në fshatin Tërnavë të Komunës së Podujevës, ku edhe janë arrestuar nga policia.