Ilustrim

2 vjet burg për drogën e gjetur në garazhë në Graçanicë

Gjykata e Prishtinës dënoi Vlastimir Vuleviqin nga Graçanica me 2 vjet burgim dhe me 4 mijë euro gjobë për veprat penale shitje e narkotikeve dhe fshehja e sendeve të marra me kryerjen e veprës penale.

Vuleviqit iu konfiskuan edhe 13 kilogramë kanabis dhe kartëmonedhat në vlerë prej 830 euro.

Gjykata më 28 janar kishte aprovuar marrëveshjen e lidhur në mes Prokurorisë së Prishtinës dhe të akuzuarit Vlastimir Vuleviq për pranimin e fajësisë për veprat penale shitblerje e narkotikëve dhe blerjen ose fshehjen e sendeve të përfituara me veprën penale.

Sipas marrëveshjes së lidhur në mes Prokurorisë së Prishtinës dhe Vuleviqit, dënimi i rekomanduar në këmbim të pranimit të fajësisë është dënim me burgim prej 24 deri në 26 muaj për veprën penale shitblerje e narkotikëve dhe dënim me gjobë në lartësi prej 3 mijë euro.

Ndërsa për veprën e dytë fshehje e sendeve të fituara me kryerjen e veprave penale është rekomanduar dënimi në kohëzgjatje pre 3 muaj i zëvendësuar me dënim me gjobë në shumë prej 1,800 euro.

Sipas Prokurorisë, Vuleviq është marrë me blerjen, shitjen, transportin e paautorizuar të narkotikëve. Më 24 shkurt të vitit 2018 në orën 10:15, në lokalin “Lana” në Graçanicë, policia kishte gjetur 4 kilogramë e 259 gramë narkotikë të vendosura në një thes najloni ngjyrë të zezë në frigoriferin e garazhës.

Gjithnjë sipas prokurorisë, të akuzuarit në të njëjtën garazhe afër dritareve i ishin gjetur edhe 8 kilogramë e 820 gramë narkotikë të cilat pas analizave rezultuan të jenë kanabis sativa.

Vuleviqi akuzohet nga Prokuroria edhe se kishte fshehur paratë për të cilat e kishte ditur se janë përfituar me kryerjen e veprës penale të grabitjes.

Më 24 shkurt 2018 policia me të bastisur shtëpinë e tij  në Graçanicë, në pjesën e jashtme të dritares së banjos, kishte gjetur të mbështjella 11 kartëmonedha në vlerë prej 50 euro dhe 14 kartëmonedha në vlerë prej 20 euro në shumë totale prej 830 euro.

Sipas prokurorisë pasi këto para kishin hasur në kontakt me kimikate, kishin humbur tiparet mbrojtëse  si reaksionin ultra vjollcë, perin e kontaktit, prapavijën, shiritin irideshent dhe kinegramet.

Arrihet  marrëveshja për pranimin e fajësisë për 13 kilogramë kanabis