16 vjet burg për vrasjen e Arlind Hanës në qebaptore në Gjakovë

Gjykata e Gjakovës ka njoftuar se të akuzuarin Esat Bajramin e ka shpallur fajtor për vrasjen e 30 vjeçarit Arlind Hanës.

Të akuzuarin Bajrami, gjykata e ka dënuar me 16 vjet burgim për veprat penale të vrasjes dhe armëmbajtje pa leje.

Esat Bajrami akuzohej nga Prokuroria e Gjakovës se më 1 nëntor të vitit 2017, në qebaptoren “Toni Burger” në Gjakovë, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Arlind Hanën, 30 vjeç.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga gjykata e Apelit, në gjykatën e Gjakovës, pasi që i akuzuari ishte dënuar me 18 vite burgim për vrasje e armëmbajtje pa leje.

Në aktvendimin e gjykatës së Apelit thuhet se gjykata e Gjakovës në rigjykimin e këtij rasti duhet të vërtetojë nëse vepra penale është kryer në gjendje të efektit të tronditjes së rëndë mendore, apo i akuzuari i ka kuptuar veprimet e tija në kohën e kryerjes së veprës penale.

Në aktakuzë thuhet se për shkak të një mosmarrëveshje që e kishin i ndjeri më të pandehurin, për shkak të motrës së tij të mitur, i pandehuri kishte hyrë në qebaptore dhe kishte pritur derisa të largohen të gjithë klientët.

Esat Bajrami ishte deklaruar i pafajshëm para gjykatësit Nikollë Komani.

Lajmet për gjykimin e Esat Bajramit mund t’i lexoni në këtë link.