Foto: REL

14 vjet nga aksidenti, sot u shqyrtua padia për kompensimin e dëmit në vlerë 250 euro

14 vjet pas ngjarjes sot u shqyrtua padia për kompensimin e dëmit në shumën prej 250 eurove.

Fatbardha dhe Remzi Haxhiu 14 vjet më parë kishin parashtruar në Gjykatën e Mitrovicës padinë për kompensimin e dëmit në shumën prej 250 eurove nga kompanitë e sigurimit “INSIG” dhe “Kosova e Re”.

Në seancën e sotme ishte i pranishëm përfaqësuese i paditësve, avokati Zaim Istrefi, ndërsa munguan të paditurat edhe pse ishin ftuar me rregull.

Përfaqësuesi i paditësve avokati Zaim Istrefi deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë si dhe theksoi se me të paditurat janë në procedurë të negocimit të marrëveshjes.

Gjithashtu avokati Istrefi i propozoi Gjykatës sot që të bëhet një ekspertizë komunikacioni pas njoftimit të Gjykatës lidhur me marrëveshjen e arritur.

Për propozimin e avokatit Istrefi, gjykatësi Naim Meholli mbeti të vendosë jashtë seancës gjyqësore.

Gjithashtu gjykatësi Meholli sqaroi për KALLXO.com se këtë lëndë e kishte pranuar në muajin prill të këtij viti pasi ishte lëndë e një gjykatësi tjetër.

Padia për kompensimin e dëmit ishte paraqitur për shkak të aksidentit që kishte ndodhur më 14 korrik 2007.

Aksidenti sipas padisë kishte ndodhur në fshatin Veciç në komunën e Istogut.

Aksidenti pretendohet se ishte shkaktuar nga vetura “Ranger”, të cilën e voziste paditësja Fatbardha Haxhiu.

Padia thotë se aksidenti ishte shkaktaur kur paditësja Fatbardha Haxhiu kishte tejkaluar veturën “Golf”, të cilën e voziste Nexhat Hysenaj, i cili në momentin e tejkalimit nga Fatbardha Haxhiu kishte kthyer veturën në anën e majtë pa paralajmërim dhe paditësja duke u munduar të ikë nga vetura “Golf” kishte dalë nga rruga dhe ishte rrokullisur në kanal.

Sipas padisë, nga rrokullsja e veturës Remzi Haxhiu kishte pësuar lëndime të rënda trupore si dhe ishte dëmtuar vetura “Ranger”.

Me padi kërkohet që Fatbardha Hoxhës t’i bëhet kompensimi prej 100 eurosh për dëmin material të veturës “Ranger”.

Ndërsa për Remzi Hoxhën kërkohet kompensimi për dhimbje fizike 30 euro, për frikë 30 euro, për shëmtim trupor 30 euro, për zvogëlim të aktivitetit jetësor 30 euro, për ushqim të përforcuar 10 euro, për ndihmë të huaj 10 euro dhe për shpenzimin e materialit gjatë shërimit 10 euro.