Prapa grilave - Ilustrim

14 vite burgim, 13,500 euro gjobë të akuzuarve për tregti me armë

Gjykata e Prishtinës ka shpallur sot aktgjykimin ndaj tre të akuzuarve lidhur me veprat penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminale të organizuar me qëllim të importit, eksportit e shitjes së paautorizuar të armëve.

I akuzuari për pjesëmarrje ose organizmit të grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale Importi, eksporti furnizimi, transportimi, këmbimi ose shitja e paautorizuar e armëve, M. D. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 vitesh si dhe dënim me gjobë në shumë prej 7 mijë eurosh.

Të akuzuarit tjetër A. K., Gjykata e Prishtinës i shqiptoi dënim me burgim në  kohëzgjatje prej 5 vitesh dhe dënim unik me gjobë në shumë prej 3,500 eurosh, i akuzuar për veprat penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminale të organizuar lidhur me veprën penale Importi, eksporti furnizimi, transportimi, këmbimi ose shitja e paautorizuar e armëve si dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës.

Ndërsa i akuzuari i tretë D. P. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në  kohëzgjatje prej 2 vitesh dhe dënim me gjobë në shumë prej 3 mijë eurosh për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale Importi, eksporti furnizimi, transportimi, këmbimi ose shitja e paautorizuar e armëve.