Ilustrim: Sulmet kibernetike - Foto: REL/Shutterstock

12 vjet pas aktakuzës nuk i dihet fundi gjykimit ndaj grupit të hakerëve

Edhe pas 12 viteve nuk dihet kur do të mbahet seanca për krim të organizuar, ndaj të akuzuarëve për falsifikimin e çeçeve bankare.

Prokuroria në këtë rast akuzon Driton Konushevcin, Shkumbin Kadriun, Burim Muratin, Edmond Gashin dhe Klodina Rrokatën, Valton Isufin, Valdrin Gërbeshin, Artan Prebrezën, Sadullah Behlulin, Mimoza Beqirin se në bashkëkryerje me dy të pandehurit në arrati Qëndrim Dobrunën dhe Edona Bajramin, kanë formuar grupin e organizuar kriminal.

Sipas prokurorisë ky grup ishte formuar me qëllim të fitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme.

Gjithnjë sipas aktakuzës grupi i organizuar në bashkëkryerje me hakerë të panjohur kanë falsifikuar çeçet bankare dhe kanë hyrë në sistemet kompjuterike bankare nëpër shtete të ndryshme.

Aktakuza thotë se të pandehurit kanë arritur që duke hyrë në sistemet kompjuterike bankare të falsifikojnë kartelat bankare dhe në agjensionin financiar Western-Union të tërhiqnin para në shumë prej 198 mije e 454 euro.

Poashtu aktakuza ngarkon të akuzuarit edhe me veprat penale shpëlarje parash, lëshimin e çeçeve të rreme, posedim të narkotikëve, armëmbajtje pa leje.

Seanca e sotme ndaj 10 të akuzuarëve në këtë rast është shturë për kohë të pacaktuar.

Shkak për shtyrjen e kësaj seance ishte mungesa e të akuzuarëve Driton Konushevci, Shkumbin Kadriu, Burim Murati, Edmond Gashi dhe Klodina Rrokatë cilët ishin ftuar me rregull, por nga flet kthesa rezulton se për  të lartcekurit adresa ishte e gabuar.

Ndërsa lidhur me të akuzuarin Shkumbin Kadriu, mbrojtësi i tij avokati Ahmet Xhinovci deklaroi se i njëjti mungon për shkaqe shëndetësore.

Edhe pse në këtë proces gjyqësor janë shkelur të gjitha afatet ligjore duke u mbajtur seanca e parë pas 12 viteve, gjykata seancën e radhës  e shtyu për kohë të pacaktuar.

‘’Pasi do të lëshohen urdhëresat për verifikimin e adresave të të akuzuarëve do të caktojmë datën për mbajtjen e këtij gjykimi’’, tha gjykatësja Naime Krasniqi

Gjykatëse e rastit tani është Naime Krasniqi Jashanica, ndërsa sipas burimeve të Kallxo.com, gjyqtarja që e ka pasur rastin më herët ishte Shadije Gërguri tani gjyqtare speciale.